Reagimi i MASH-it: “Shkollat e Tiranës janë financuar nga qeveria”
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka reaguar ndaj deklaratave në distancë mes kryeministrit dhe kryebashkiakut të Tiranës, duke theksuar se shkollat janë financuar nga qeveria dhe jo nga Bashkia e Tiranës. Kështu, lidhur me deklaratën e bërë dy dit më parë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, MASH sqaroi se shkollat që po ndërtohen në Bashkinë e Tiranës që prej vitit 2005, janë financuar nga një marrëveshje kredie e nënshkruar nga Këshilli i Ministrave dhe Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës (CEB).
Sipas kësaj deklarate, falë kësaj kredie, që përfshihet ndërtimi i 7 shkollave të reja dhe rehabilitimi i 12 të tjerave në kryeqytet. Bashkia e Tiranës është financuar me një shumë prej 12.4 milionë Euro dhe nga qeveria shqiptare me një shumë prej 6. 2 milionë euro. Në total financimi i qeverisë shqiptare për Bashkinë e Tiranës është 18. 6 milionë Euro. MASH-i publikoi edhe afatet e ndërtimit të shkollave që pritet të ndërtohen. Afati i ndërtimit të këtyre shkollave ka qenë 2005-2007, por ajo është shtyrë për në vitet 2006-2008. Brenda kësaj periudhe 3-vjeçare janë në përfundim të procesit të rehabilitimit 12 shkolla (në rikonstruksion) dhe deri tani nuk është marrë në dorëzim nga Drejtoria e Arsimit Tiranë, asnjë shkollë e re.
8 Gusht 2008