Pacientët të rrezikuar nga rrezatimet kur bëjnë grafitë në klinika
Emanuela Sako
Pacientët janë të rrezikuar nga marrja e rrezeve gjatë kryerjes së disa vizitave te veçanta te mjeku. Raste të tilla janë të shumta dhe këtë herë problemi qëndron te pakujdesia e mjekut ndaj pacientëve. Një rast i tillë është kryerja e grafive të ndryshme në varësi të problemit shëndetësor që ka do pacient. Stomatologët qëndrojnë të parët në radhë, të cilët nuk zbatojnë rregulloren për mbrojtjen e pacientëve. Ata kryejnë grafinë e dhëmbëve pa vendosur përparësen mbrojtëse prej plumbi, e cila nuk lejon depërtimin e rrezeve Rontgen në trup. Por nuk përjashtohen rastet e kryerjes së grafisë së zemrës, Mamografisë, grafinë e mushkërive etj. Rrezet që lëshohen gjatë kryerjes së grafive janë të dëmshme dhe sidomos, kur një pacient kryen vazhdimisht grafi për shkak të problemeve shëndetësore. Shefi i Shërbimit Universitar të Imazherisë në QSUT, prof. dr. Krenar Preza, njëkohësisht anëtar i Komisionit të Mbrojtjes nga Rrezatimet në Ministrinë e Shëndetësisë, sqaron se shpeshherë faji qëndron tek mjekët, të cilët i dërgojnë pacientët për të kryer grafinë edhe kur nuk është e domosdoshme. Ndërsa mjeku Radiolog është i detyruar të kryejë grafinë, sipas përcaktimit që ka bërë mjeku.
Dëmtimi
Rrezet rontgen janë të dëmshme për shëndetin e pacientëve dhe ato duhet të kryhen vetëm në rastet e domosdoshme, pasi në të kundërt do të bëhen shkak për probleme më madhore shëndetësore. Rrezatimet shmangen nëpërmjet elementeve mbrojtës, siç është përparësja e plumbit që nuk lejon depërtimin e rrezeve në pjesët e tjera të trupit, përveç pjesës ku duhet të veprohet. Por në shumicën e klinikave këto masa mbrojtëse nuk vihen në përdorim nga mjekët. Shpeshherë mjekët i dërgojnë pacientët për të bërë grafi apo ekzaminime të tjera pa qenë e nevojshme për të kryer një ekzaminim me rreze. Kështu, mjekët duhet të jenë më të përgjegjshëm kur e drejtojnë pacientin për kryerjen e një vizite me rreze. Ndërsa në rastet kur ekzaminimet janë të shpeshta, por që janë të domosdoshme, pasi luhet me jetën e pacientit, atëherë ekzaminimi do të kryhet medoemos.
Kujdesi
Më pak të kujdesshëm janë stomatologt që për kryerjen e grafisë tek pacientët nuk marrin asnjë masë. Për më tepër ata e kryejnë këtë shërbim sa herë iu shfaqet pacienti me probleme me dhëmballët. Kjo situatë është rutinë për stomatologët, pa marr parasysh sëmundjet e tjera që mund të ketë pacienti dhe që i duhet që të kryejë dhe vizita të tjera nëpërmjet rrezeve për problemet shëndetësore. Kjo ndodh, pasi kartela e pacientit, që të njeh me sëmundshmërinë e tij nuk ekziston dhe bëhet shkak për shtimin e problemeve shëndetësore. Kartela e pacientit është e domosdoshme për pacientët dhe mjekët, pasi në të evidentohen të gjitha sëmundjet dhe kurat që ka marrë pacienti. Në këtë mënyrë mjeku vepron me përgjegjësi të plotë se çfarë vizite duhet të kryejë dhe se çfarë kure t’i rekomandojë pacientit.
8 Gusht 2008