Ministrja Godo shton bashkëpunimin me spitalet spanjolle
Spitalet tona do të rrisin bashkëpunimin me spitalet spanjolle në fusha të ndryshme të shëndetësisë. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, zhvilloi një takim pune me, Manuel Montabbio, ambasador i Spanjës në vendin tone, ku u diskutua për marrëdhëniet e dy vendeve në fushn e shëndetësisë. Ministrja Godo, u njoh nga afër me projektin, synimet dhe kahet e zhvillimit të këtij bashkëpunimi që pritet të avancojë dhe të modernizojë sistemin shëndetësor në Shqipëri. Ambasadori Spanjoll, Manuel Montabbio, theksoi bashkëpunimin në fushën e mjekësisë midis dy vendeve ku veçanërisht ky bashkëpunim konsiston në eksperiencën shumë të mirë në fushën e shëndetit për nënën dhe fëmijën. Ministrja Godo, propozoi lidhjen e një marrëveshje bashkëpunimi midis Ministrive të Shëndetësisë të dy vendeve si një hap drejt institucionalizimit dhe formalizimit të bashkëpunimit të deritanishëm, në shërbim të pacientit shqiptar. Ministrja Godo, falënderoi ambasadorin për bashkëpunimin dhe vizitën duke i bërë një ftesë për homologun e tij spanjoll për një vizitë në Tiranë. Ky është takimi i dytë zyrtar i ministres me delegacione të huaja, që nga marrja e postit në krye të shëndetësisë.
8 Gusht 2008