Kule: “Diplomat e reja do të printohen pas dy javësh”
Studentët do të pajisen me diploma të reja, që do të miratohen nga senatet e universiteteve. Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, bën të ditur se diplomat e reja do të jenë gati brenda dy javësh. Ministri i Arsimit, Fatos Beja, ka shfuqizuar udhëzimin 26, të korrikut 2008, i cili në diplomat e studentëve nuk përcaktonte profilin në të cilin studenti mbaronte studimet. Vendimin e Ministrisë, rektori i Universitetit të Tiranës (UT), Dhori Kule, e ka cilësuar si mjaft të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy institucioneve. “Sipas udhëzimit që ka përcjellë ministri i Arsimit në pikën 9 thotë: Udhëzimi 26 i datës 14.07.2008 revokohet. Kjo është hera e parë, e theksoj edhe një herë, është shumë e rëndësishme”, - pohon Kule. Sipas këtij të fundit, për studimet që kanë titull diploma do të jetë me titull, kurse atje ku ka degë, në diplomë do të shënohet dega ku studenti ka përfunduar studimet. Pas udhëzimit të ri të Ministrisë së Arsimit, për diplomat e Bolonjës, modeli i ri diplomave për studimet 3-vjeçare, i kundërshtuar nga krerët e universiteteve dhe studentët, do të ndryshohet. Sipas kreut të Universitetit të Tiranës, senatet akademike dhe studentët do të hartojnë një model të ri diplome, në përputhje me udhëzimin e ri të MASH-it dhe me standardet e Bolonjës. Kjo, sipas Kules, do të çojë në vend pretendimet e ngritura nga vetë studentët për këtë diplomë. Vendimi i ministrit të Arsimit, Fatos Beja, erdhi pas protestave dhe bojkotimit të mësimit të studentëve të Fakultetit të Histori–Filologjisë dhe të Gjuhëve të Huaja, të cilët kërkuan shfuqizimin e udhëzimit të lëshuar nga ish-ministri i asaj kohe Genc Pollo.
Subvencionimi i teksteve, MASH-i thirrje prindërve të tërheqin lekët
Ministria e Arsimit u bën thirrje prindërve, që nuk kanë përfituar nga subvencionimi i teksteve shkollore, të tërheqin lekët. MASH-i u bën thirrje prindërve të nxënësve në qytetet Krujë, Fier, Tiranë, Berat, Librazhd, Durrës, Elbasan, ku deri tani vetëm 80 për qind e tyre kanë tërhequr subvencionet shtetërore për tekstet mësimore, që të paraqiten në zyrat e Postës Shqiptare, ku disponohen listat e nxënësve sipas shkollave e klasave. Fondi kap vlerën 415 milionë lekë dhe është pjesë e buxhetit të shtetit për vitin shkollor 2008-2009. Ministria e Arsimit njofton se fondi i subvencionimit të teksteve mësimore tashmë ka përfunduar së shpërndari në të gjitha qarqet. Sipas Ministrisë së Arsimit, në qarqet Kukës, Dibër, Mat, Shkodër dhe në rrethet Malësi e Madhe, Mirditë, Lushnjë, Skrapar, Ersekë, Pogradec, Përmet, fondi është shpërndarë në masën 100 për qind. Ndërsa në qarqet Gjirokastër, Korçë, Lezhë, Vlorë deri tani është shpërndarë rreth 94-97 për qind e fondit të parashikuar. Skema e subvencionimit të teksteve po zbatohet për të dytin vit radhazi. Fondi i posaçëm i subvencionit i kalon përdoruesit, pra prindërve të nxënësve në shkollat publike dhe private.
21 Shkurt 2009