Gjyqtarët e Krimeve të Rënda ankohen se iu është ulur paga për 2009-n
Laureta Rryçi
Tiranë - Gjyqtarët e Krimeve të Rënda ankohen në Zyrën e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor për pagat. Sipas pretendimit të tyre, ata janë të vetmit që jo vetëm nuk kanë përfituar rritje page më 1 janar të këtij viti, ashtu si të gjitha kategoritë e tjera, por me llogaritjen e re ata kanë marrë një pagë më të ulët. Një tjetër pretendim i gjyqtarëve ka qenë dhe statusi i tyre. Ata argumentojnë se për shkak të vështirësisë së profesionit, duhet të kenë një status. Gjykata e Krimeve të Rënda funksionin mbi një ligj të veçantë, i cili është “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave për krime të rënda”. Në Nenin 9 të këtij ligji përcaktohet mënyra e llogaritjes së pagës, shpërblimit të posaçëm si dhe mbrojtja dhe siguria fizike, familjare dhe pasurore e gjyqtarëve. Në nenin 10 është përcaktuar që brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, duhet të dilnin aktet e tjera nënligjore për bërjen më efektive të përfitimeve të parashikuara në Nenin 9. Ndonëse kanë kaluar më shumë se 5 vjet, përsëri nuk është marrë një iniciativë e tillë. Prandaj gjyqtarët e Krimeve të Rënda kërkojnë përmbushjen e kësaj kërkese të ligjit me qëllim plotësimin e standardit të duhur të mbrojtjes jo vetëm familjare, por dhe personale e pasurore.
Ndryshimet
Sipas gjyqtarëve, gjatë vitit 2008, ndryshimet që u bënë në ligjin “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, lidhur me sistemin e pagës për Gjykatat e Krimeve të Rënda, ashtu siç po interpretohet nga ZABGJ-ja, e cenon masën e pagesës për shkak të qenies gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Këto ditë, nga ana e Zyrës së Buxhetit Gjyqësor është aplikuar pagesa e gjyqtarëve sipas parashikimit që bën Ligji Nr. 9877 dhe rezulton se gjyqtarët e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda nuk përfitojnë rritje page, ashtu siç ka ndodhur me të gjithë gjyqtarët e Shkallës së Parë. Sipas gjyqtarëve, një gjë e tillë, e cila është rrjedhojë e interpretimit të gabuar që i bëhet Nenit 43 pika 5 e ligjit, sipas të cilit “...këto dispozita mbi pagat nuk cenojnë pagën aktuale që përfiton gjyqtari në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji”.
Interpretimi
Nga ana e Zyrës së Buxhetit duket se ky përcaktim është interpretuar në disfavorin e gjyqtarëve të Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, duke llogaritur në pagën e re shtesën për vjetërsi pune brenda masës së pagës së marrë deri në datën 31.12.2008. Gjyqtarët që kanë ngritur dhe ankesën gjykojnë se në zbatim të ligjit të mëparshëm, ata, përveç të drejtave të tjera, përfitonin pagë të veçantë e përcaktuar në masën 60 për qind të pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Ndërsa ligji i ri “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” ka parashikuar: “Paga bazë e gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda është e barabartë me 50 për qind të pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë... Mbi këtë pagë, për kushte të veçanta pune shtohet 10 për qind”. Nga llogaritja matematikore rezulton se paga për gjyqtarët e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në datën 01.01.2009 pëson një ulje të ndjeshme krahasuar me pagën e mëparshme. Nga shuma prej 102. 000 lekësh në muaj që kanë marrë, ka zbritur në 93.500 lekë. Ndërsa shpërblimi për vjetërsi pune është një përfitim që nga ligji i ri e përfitojnë të gjithë gjyqtarët dhe, sipas tyre, nuk mund të interpretohet se pas llogaritjes së këtij përfitimi paga e gjyqtarit nuk pëson ulje. Sipas gjyqtarëve, ky interpretim nga ana e Zyrës së Buxhetit Gjyqësor vjen në kundërshtim të hapur me Nenin 138 të Kushtetutës, i cili përcakton: “... Paga dhe përfitimet e tjera të tyre (të gjyqtarëve) nuk mund të ulen”. Për këtë arsye, gjyqtarët kanë ngritur pretendimin se për të gjithë trupën gjyqësore të emëruar përpara datës 18.02.2008, paga e përfituar nuk mund të cenohet.
21 Shkurt 2009