E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moti i keq, izolohen disa fshatra në Veri, probleme në Llogora dhe në Portin e Durrësit



Në Rrethin e Pukës është mbledhur shtabi i emergjencës pasi të gjitha fshatrat e kësaj zone kanë mbetur të bllokuara. Shtabi ka kërkuar shpalljen e gjendjes emergjente. Situata nuk paraqitet më e mirë dhe në porte. Tragetet e linjës Durrës-Bari dhe anasjellas kanë pezulluar përkohësisht lundrimin. Por sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, edhe dita e sotme nuk premton përmirësim të kushteve atmosferike. Po ashtu, qarkullimi i mjeteve në segmentin rrugor në Qafën e Llogorasë, 40 km në jug të qytetit të Vlorës, edhe gjatë ditës së sotme pritet të bëhet me zinxhirë. Prej ditës së djeshme, qarkullimi në këtë segment, pjesë e rrugës kombëtare Vlorë-Sarandë, ka qenë minimal. Policia rrugore, që ka ngritur postblloqe në të dy krahët, nuk ka lejuar asnjë automjet të lëvizë pa zinxhirë. Në zonë po punojnë 7 mjete, nga të cilat 4 fadroma, 1 borëpastruese dhe 2 kamionë, që realizojnë procesin e hedhjes së kripës dhe të skorjeve. Ndërhyrja për ndihmë është kërkuar nga Qarku i Shkodrës, ku dhe ky i fundit po përballet me një situatë jo të mirë, sidomos në Malësinë e Madhe. Në Pukë, qarkullimi i automjeteve është i mundur vetëm me përdorimin e zinxhirëve, por që herë pas here rrugët bllokohen pasi dëbora e shoqëruar me erë shpejton trashësinë e borës. Mijëra banorë në fshatrat e izoluara kanë rreth tri ditë që nuk komunikojnë me qytetin. Nuk dihet situata me rezervat ushqimore në fshatra, ndërsa është mësuar se mësimi në shkolla është ndërprerë. Edhe dita e sotme nuk premton përmirësim të kushteve atmosferike. Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se vendi ynë sot do të ndikohet nga fusha barike e presionit të ulët atmosferik, në forcim gradual. Temperaturat më të ulëta dhe më të larta në qytetet kryesore parashikohen të jenë: Tirana 1 dhe 9, Shkodra -3 dhe 7, Durrësi 1 dhe 9, Lezha 0 dhe 6, Kuçova -1 dhe 8, Gjirokastra 0 dhe 5, Peshkopia -7 dhe – 1, Elbasani 0 dhe 9, Kukësi -7 dhe 0, Korça -4 dhe 0, Vlora 1 dhe 8, Saranda 1 dhe 9 gradë celsius.

21 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›