E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia, sërish grevë 24 orëshe, bllokohen transportet



Greqia është paralizuar sërish për shkak të reformës së pensioneve dhe planeve për kursime të miratuara prej qeverisë socialiste. Transportet dhe shërbimet publike u bllokuan për shkak të një thirrjeje për grevë të përgjithshme të bërë nga sindikatat për të protestuar kundër reformës së pensioneve, masë kryesore e marrë nga qeveria socialiste për rimëkëmbjen e financave. Kjo grevë, që është e pesta e përgjithshme që prej muajit shkurt kundër masave të rrepta ekonomike, solli pengesa në trafikun ajror, duke sjellë anulimin e një të pestës së fluturimeve të brendshme me destinacion disa ishuj grekë, por të gjitha linjat ndërkombëtare funksionojnë, pasi kontrollorët ajrorë nuk u bashkuan me grevën për të mbrojtur turizmin.
Tragetet funksiononin normalisht në Pire, pranë Athinës, ku rojat bregdetare nuk e kanë ndërprerë punën për të penguar një bllokim të mundshëm të qindra sindikalistëve komunistë të cilët ishin mbledhur pranë këtij porti të madh. Disa grupe grevistësh të krijuar të mërkurën e kaluar në Pire nga militantë komunistë kanë bllokuar mijëra pasagjerë grekë dhe të huaj. Transportet urbane të kryeqytetit dhe Selanikut, qyteti i dytë më i madh i vendit, pritet të rëndohen nga ndërprerja e përkohshme e punës, por metrotë dhe autobusët funksiononin në orët e para të mëngjesit në Athinë, ndërsa trafiku hekurudhor ishte i rënduar. Disa manifestime janë parashikuar në qytetet e mëdha greke afër mesditës. Greva, e zhvilluar me thirrjen e dy sindikatave të mëdha, GSEE-së për sektorin privat dhe Adedy për atë publik, si dhe nga Fronti sindikal komunist Pame, synon të protestojë kundër projektit të reformës së pensioneve.

30 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›