E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentet, Spitali Ushtarak pret 80 raste brenda një dite



Artan CENA
TIRANË - Aksidentet në rrugë kanë shënuar dhe tre viktima të tjera ditën e djeshme, duke e rritur numrin e atyre që kanë humbur jetën në rrugë. Siç është mësuar, në urgjencën e Spitalit Ushtarak numërohen rreth 80 persona, të cilët vijnë të marrin ndihmë pas përplasjeve të makinave që ndodhin në rrugët shqiptare. Por, sipas të dhënave, numri i këtyre nga muaji janar deri tani është më i ulët, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo statistikë pritet të ndryshojë, pasi ardhja e emigrantëve rrit në mënyrë të menjëhershme përplasjet në rrugë, si dhe viktimat. Nga një studim i bërë mësohet se aksidentet më të shumta shkaktohen nga makinat me targa greke.
Viktimat e djeshme
Tre persona kanë humbur jetën dje në rrugë si pasojë e dy aksidenteve. Dy prej tyre janë vëlla e motër, të moshës 8 dhe 10 vjeç, që humbën jetën në Shkodër teksa ishin duke udhëtuar me gjyshin e tyre kur ranë nga një zetor. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e djeshme në hyrje të fshatit Sheldi të komunës Gur i Zi në Shkodër. Dy fëmijët me inicialet D. T., 8 vjeç dhe K. T., 10 vjeç, po udhëtonin në një mjet tip zetor me rimorkio që drejtohej nga gjyshi i tyre, Kel Trushi. Në rrugë e sipër, 62-vjeçari ka humbur kontrollin e mjetit, i cili më pas është përmbysur. Për pasojë, dy fëmijët kanë humbur jetën për shkak të plagëve të marra në trup. Policia e Shkodrës ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për aksidentin e rëndë që u mori jetën dy vogëlushëve.
Në një tjetër aksident ka humbur jetën një 58-vjeçar. Burimet zyrtare nga Policia e Korçës thanë se Bashkim Gjata ka humbur jetën në aksidentin e ndodhur në aksin rrugor Libonik-Korçë. Drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga duke gjetur vdekjen. Shërbimet e Policisë Rrugore, që shkuan në vendngjarje, filluan kryerjen e veprimeve hetimore. Siç është bërë e ditur, trupi i viktimës është dërguar fillimisht në morg dhe më pas kanë qenë familjarët që e kanë tërhequr.
Rastet
Aksidentet janë ngjarjet më të shpeshta që ndodhin në Shqipëri. Aktualisht, Qendra e Traumës në Spitalin Ushtarak pret afro 80 raste në ditë, por drejtuesit e qendrës i druhen shtimit të fluksit në muajt korrik dhe gusht. Sipas tyre, fluksi më i madh është në muajt korrik-gusht dhe fillimi i shtatorit, pastaj fillon në mesin e dhjetorit deri në fund të janarit. Shtimi i aksidenteve përkon me ardhjen e madhe të emigrantëve shqiptarë në Europë. Ardhja e tyre pritet të shoqërohet në kulmin e sezonit edhe me rritjen e numrit të mjeteve në qarkullim nëpër rrugët e Shqipërisë. Nëse u referohesh statistikave, afro 90 për qind e aksidenteve automobilistike shkaktohen nga emigrantët. Në pjesën më të madhe emigrantët janë të pranishëm në çdo lloj aksidenti që ndodh në këtë periudhë, thanë burimet nga spitali. Në mos në mënyrë absolute, në 95 për qind të rasteve janë të përfshirë emigrantët. Sipas statistikave, pjesën më të madhe të aksidenteve e bëjnë makinat që janë me targa greke.

Falsifikonin 10 mijë lekëshat, tre të rinj në pranga
LEZHË - Tre të rinj janë vënë në pranga pasi akuzohen se kanë falsifikuar para duke i skanuar. Burime zyrtare nga Policia e Lezhës kanë bërë të ditur dje se, mbrëmjen e tri ditëve më parë, rreth orës 23:00, janë vënë në pranga tre të rinj, të akuzuar për veprën penale “falsifikim i monedhave e kryer në bashkëpunim”. Burime zyrtare nga Policia e Lezhës thanë se të arrestuar janë, Marjan Doçaj, 19 vjeç, banues në fshatin Fushë-Kuqe, 17-vjeçari me inicialet J. N., banues në fshatin Gurrës dhe adoleshenti tjetër me inicialet T. M., po 17 vjeç, banues në fshatin Fushë-Kuqe. Të tre të ndaluarit janë nga Kurbini. Policia tha se arrestimi i tyre është bërë për arsye se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë përdorur një sasi prej 20 copësh kartëmonedhash të falsifikuara, të cilat i kanë prodhuar në banesën e adoleshentit me inicialet J. N., në fshatin Gurrëz, Kurbin. Paratë false ishin prodhuar me anë të skanimit në një kompjuter. Këto kartëmonedha të falsifikuara, Marjan Doçaj dhe 17-vjeçari me inicialet T. M., i kanë përdorur në një kompjuter lojërash fati në qytetin Laçit. Pasi kanë paguar, pronari i pikës së kompjuterëve ka parë që paratë ishin false dhe ka njoftuar policinë. Ai ka identifikuar dy të dyshuarit, të cilët janë vënë në pranga brenda pak orësh. Gjatë aksionit, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 32 kartëmonedha me prerje 1000 lekëshe të falsifikuara, 5 kartëmonedha të rregullta që shërbenin për të prodhuar të falsifikuarat, 1 skaner, 1 kompjuter dhe pajisje kancelarie. Policia lokale tha se dosja me materialet i është referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin.

Vihet nën hetim 39-vjeçari, përplasi me makinë një person

POGRADEC - Vihet nën hetim një 39-vjeçar pasi ka shkaktuar plagosjen e një personi në një aksident. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Korçës kanë bërë të ditur se janë kryer veprimet hetimore në gjendje të lirë në ngarkim të qytetarit me inicialet E. C., 39 vjeç, banues në Lagjen Nr. 3, Pogradec. Ai është vënë nën hetim për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”. 39-vjeçari, duke drejtuar mjetin “Volkswagen“ me targë PG 4795 B në aksin rrugor Pogradec-Tushemisht, ka aksidentuar shtetasin K. Kalkollari, 62 vjeç, banues në Lagjen Nr. 1 Pogradec, i cili ndodhet në Spitalin e Pogradecit jashtë rrezikut për jetën. Dosja me materialet hetimore për këtë ngjarje i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për hetime të mëtejshme.

Tre të rinj në pranga, u kapën me Cannabis
TIRANË - Tre të rinj janë vënë në pranga pasi janë kapur me një sasi lënde narkotike. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës kanë bërë të ditur se efektivët e Seksionit Kundër Narkotikeve kanë vënë në pranga në flagrancë shtetasit Erland Karaj, 24 vjeç, banues në Tiranë, Jurgen Hyka, 20 vjeç, banues në Tiranë dhe Elendijo Çela, 24 vjeç, banues në Tiranë. Policia tha se arrestimi i Erland Karajt u bë pasi tri ditë më parë, në rrugën “Ndre Mjeda”, është kapur në flagrancë. Pas një kontrolli të ushtruar ndaj tij i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale sasia prej 8.8 gramësh bimë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis sativa me gjithë ambalazh. Policia tha se dosja me materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike”.

Kapet hajduti 15-vjeçar, vodhi banesën e një austriaku

KORÇË - Vjedh një banesë, arrestohet në flagrancë një 15-vjeçar. Burime zyrtare nga Policia e Korçës kanë bërë të ditur se dy ditë më parë është vënë në pranga adoleshenti me inicialet A. K., 15 vjeç, banues në Lagjen Nr. 17, Korçë. Arrestimi i tij mësohet se është bërë pasi u akuzua për veprën penale të “vjedhjes”. Ka qenë kallëzimi i bërë nga shtetasja M. Baraku, 48 vjeçe, që ka çuar në pranga të riun. 48-vjeçarja ka treguar për policinë se banesa e saj ishte vjedhur dhe ishte shuma prej 12 mijë lekësh. Policia nisi hetimet dhe vuri në pranga të dyshuarin. Gjithashtu, 15-vjeçari, sipas policisë, rezulton të jetë edhe autor i vjedhjes së banesës së një qytetari austriak Ch. Steiner, të cilit i ka marrë një shumë prej 70 eurosh dhe dy karta krediti. Pas ndalimit të tij dosja me materialet për këto ngjarje i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për hetime të tjera.

30 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›