E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përdhunimi i së miturës, policia ngatërron autorët e krimit



LUSHNJË - Ka rënë në pranga autori i vërtetë i përdhunimit të vajzës 9-vjeçare nga fshati Kolonjë i Lushnjës. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Fierit kanë bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se në orët e para të mëngjesit kanë mundur të vënë në pranga autorin e vërtetë të dhunimit të vajzës së mitur. Në pranga ka përfunduar 19-vjeçari Fatbardh Hoxha, nga Ardenica. Burimet saktësojnë se dy ditë më parë, uniformat blu arrestuan si të dyshuar një endacak 42-vjeçar, po gjatë ditës së djeshme arrestuan autorin e vërtetë të aktit të rëndë. Fillimisht ndalimi i të dyshuarit dy ditë më parë, sipas policisë lokale, është bërë pas përshkrimeve të dhëna nga vajza e mitur, e cila ndodhet në Tiranë, ku është sjellë për mjekim të specializuar. Por, mospranimi i akuzës nga ai dhe hetimet e tjera kanë bërë që Drejtoria e Policisë së Fierit të njoftojë gjatë mëngjesit të djeshëm se kanë arrestuar autorin e vërtetë të krimit të rëndë. Sipas burimeve zyrtare të Policisë, mbi të arrestuarin rëndon tashmë akuza e marrëdhënies seksuale me të mitur.
Ngjarja
Ngjarja ndodhi pasditen e së dielës dhe sipas të dhënave të policisë, autori e ka gënjyer vajzën duke i dhënë 4 mijë lekë të vjetër. Më pas, duke e mashtruar, e ka çuar në kodër afër Ardenicës. Siç kanë bërë të ditur burime nga policia lokale, vajza e mitur kishte dalë nga shtëpia për të blerë bukë teksa është mashtruar nga një person, i cili është vënë në pranga. E mitura është kthyer pas dy orësh në shtëpinë ku jeton me gjyshërit me shenja dhune në trup dhe ka treguar se një burrë e kishte çuar në kodrat e fshatit dhe më pas e kishte përdhunuar. Burime nga grupi hetimor kanë bërë të ditur se “e mitura me inicialet M. SH., 9 vjeçe, nga një fshat i rrethit Lushnjë, pasi ka dalë nga banesa e saj, është marrë me forcë nga një person, i cili më pas e ka çuar në pyllin e Ardenicës dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të”. Më pas e mitura ka shkuar në shtëpi. Ajo ka treguar te gjyshërit se çfarë i kishte ndodhur. E dhunuar dhe me dëmtime në trup 9-vjeçarja është dërguar menjëherë në Spitalin e Lushnjës. Mjekët lokalë e kanë mjekuar atë dhe më pas e kanë nisur në drejtim të Tiranës për mjekim më të specializuar. Nga ana tjetër, kanë njoftuar dhe policinë për ngjarjen e rëndë. Pasi janë informuar për krimin, policia ka mbërritur në fshatin Kolonjë dhe ka nisur hetimet.
Arrestimi
Një 19-vjeçar është vënë në pranga për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Lushnjë, ku një vajzë e mitur u përdhunua tri ditë më parë. Policia e Lushnjës ka bërë të ditur se nga informacionet operative kishte mundur që të identifikonte të dyshuarin dhe më pas vënien në pranga të tij. Ai është 19-vjeçari Fatbardh Hoxha. Hetimet nisën nga denoncimi i bërë në polici nga gjyshërit e vajzës. Nga mjekët është bërë e ditur se mbi vajzën është ushtruar dhunë seksuale, si pasojë e së cilës ajo është dërguar në Tiranë për mjekim. E vogla jeton me gjyshërit, të cilët atë ditë e kishin dërguar në dyqan për të blerë.

Klandestinë për në Greqi, pranga të riut që do të merrte 5 mijë euro

GJIROKASTËR - Një person është vënë në pranga pasi akuzohet për trafik klandestinësh, punë prej së cilës do të përfitonte 5000 euro. Policia e Gjirokastrës ka bërë të ditur se mëngjesin e djeshëm, në orën 08:30, nga ana e specialistëve të Sektorit për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër është bërë arrestimi i shtetasit Erjus Arapaj, 19 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë. Arrestimi i tij është bërë për arsye se rreth orës 03:30 të mëngjesit, patrulla e Policisë Kufitare të Stacionit të Policisë Kufitare Kakavijë që kryen shërbim në kufirin e gjelbër, në afërsi të vijës kufitare me shtetin grek, përballë Kakavijës, ka konstatuar dhe ka bërë të mundur kapjen e 6 qytetarëve nga rrethi i Vlorës, të cilët po tentonin të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme. Menjëherë këta persona janë shoqëruar në ambientet e Stacionit të Policisë Kufitare Kakavijë, ku janë marrë në pyetje nga ana e specialistëve për hetimin e krimit. Pas dëshmive të tyre rezultoi se një nga këta persona dhe konkretisht i riu Erjus Arapaj, që ishte së bashku me qytetarët e shoqëruar, ishte shoqëruesi dhe udhërrëfyesi i tyre. Në dëshmitë e dhëna pesë personat e tjerë, policia ka mësuar se ata do t’i paguanin 19-vjeçarit nga 1000 euro pasi të arrinin në destinacion. Nga ana e policisë është bërë arrestimi i Arapajt për veprën penale të “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit me qëllim fitimin”. Dosja me materialet në ngarkim të këtij personi i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.

Tentoi të grabisë me armë punonjësit e një firme, arrestohet 19-vjeçari

Fier - Një 19-vjeçar ka tentuar të grabisë me armë pasditen e djeshme dy biznesmenë në qytetin e Fierit. Ngjarja ka ndodhur në segmentin rrugor Fier-Seman, ku 19-vjeçari Inis Xhafaj nga Mbrostar Ferko, pasi ka ndaluar një automjet nën kërcënimin e armës, ka tentuar të grabisë personat që ndodheshin në makinë. Mësohet se personat që ndodheshin në makinë e kanë njohur grabitësin dhe pas një konflikti mes tyre, 19-vjeçari është larguar nga vendngjarja. Menjëherë personat që u sulmuan kanë shkuar në policinë e Fierit ku kanë depozituar edhe kallëzimin penal për 19-vjeçarin. Policia tha se ngjarja ndodhi në vendin e quajtur Kalesa e Hekurudhës, në rrugën nacionale Fier-Seman. Ai ka tentuar të vjedhe me armë shtetasit me inicialet M. K. dhe B. G., punonjës të administratës së një kompanie italo-shqiptare në qytetin e Fierit. Patrulla e Përgjithshme në Drejtorinë e Policisë së Fierit, me marrjen e informacionit, kanë bërë të mundur brenda 15 minutash kapjen e të dyshuarit, i cili po tentonte të largohej në drejtim të kodrave të fshatit Radostinë, Fier. Në momentin e kapjes, gjatë kontrollit personal, Inis Xhafajt iu gjet një armë zjarri pistoletë tip “Beretë”, që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Burime zyrtare nga policia lokale thanë gjatë ditës së djeshme se arrestimi i 19-vjeçarit është bërë për veprën penale të “vjedhjes me armë e mbetur në tentativë”.

Pranga 33-vjeçarit, po shoqëronte 8 klandestinë

KORÇË - Po dërgonte tetë emigrantë klandestinë në Greqi, por bie në pranga i dyshuari për trafik. Burime zyrtare nga Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit në Korçë kanë bërë të ditur se kanë ndaluar Ismet Hoxhën. Sipas policisë, gjatë mbrëmjes së dy ditëve më parë, në Stacionin e Policisë Kufitare Shtik, Korçë, nga patrulla e shërbimit në vendin e quajtur Ura e Shalës, janë kapur 8 persona në tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit. Nga deklarimet e tyre rezultoi se 33-vjeçari Ismet Hoxha do t’i kalonte nëpërmjet kufirit në mënyrë të paligjshme në drejtim të shtetit grek. Pas marrjes së deklarimeve është bërë dhe arrestimi i Hoxhës lindur në fshatin Selitë të Elbasanit dhe banues në qytetin e Kuçovë, i cili ka konsumuar veprën penale të “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Pasi kanë përfunduar hetimet, policia tha se dosja me materialet për këtë ngjarje i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për hetime të mëtejshme.

30 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›