ISSH: Ja si do tju llogaritet pensioni për pagat e larta
Llogaritja e pensionit të pleqësisë nuk bazohet vetëm te masa e kontributeve që keni paguar në vitet e fundit. Edhe nëse paga juaj ka qenë e lartë dhe kontributet janë paguar në bazë të saj, masa e përfitimit llogaritet jo vetëm nga mesatarja e 3 viteve në 10 vitet e fundit të punës. Instituti i Sigurimeve Shoqërore këtë javë u jep përgjigje dy kërkesave të drejtuara nga qytetarët për dy pyetje që lidhen me llogaritjen e pensionit si dhe një detajim për mënyrën se si tërhiqet pensioni për ata që jetojnë jashtë.
Jam një qytetar që aktualisht përfitoj pension pleqërie. Për arsye familjare, për periudha të gjata kohore jam jashtë Shqipërisë. Herën e fundit kur u paraqita në sportelin e zyrës postare për të tërhequr pensionin, kisha pa tërhequr 3 vjet e 4 muaj pension. Punonjësja e postës më dha pensionin vetëm për tre vjet. Ju lutem, më sqaroni si e parashikon ligji një rast të tillë.
Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993, Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë, në nenin 62, pika 3 të tij, ka përcaktuar se pensionet e njohura, por të patërhequra, do të paguhen në çdo kohë, por jo më shumë se për tre vjet. Prandaj, edhe në rastin tuaj, megjithëse keni pasur pa tërhequr 3 vite e 4 muaj pension mujor, përfitimi ju është paguar vetëm për tri vite.
Jam një qytetar që kam dalë në pension të plotë pleqërie. Vitet e fundit kam pasur pagë të lartë dhe kontributet janë paguar mbi pagën maksimale. Kam dëgjuar që për llogaritjen e pensionit merren 3 vite rresht në 10-vjeçarin e fundit të punës. Ndërkohë pensioni nuk më është llogaritur në nivelin maksimal. Ju lutem, më shpjegoni pse ka ndodhur një gjë e tillë.
Llogaritja e masës së pensionit është parashikuar në nenin 32 të ligjit nr.7703, datë 11.05.1993, Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë. Sipas këtij neni, është përcaktuar se pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë e pensionit, e cila përcaktohet çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave, siguron një standard jetese minimal. Shtesa që u jepet personave të punësuar do të jetë 1% për vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme, që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve. Baza e vlerësueshme indeksohet çdo vit sipas koeficientëve të indeksimit, të miratuar nga Këshilli i Ministrave. Shuma e përgjithshme e pensionit do të jetë jo më shumë se dyfishi i shumës bazë, ose 75% e pagës neto mesatare të 3 viteve rresht në 10 vitet e fundit të punës të personit të siguruar, cila të jetë më e vogël. Prandaj, në rastin tuaj, masa e pensionit është llogaritur sipas bazës së vlerësueshme, në përputhje me përcaktimet e bëra në nenin 32, të sipërcituar, të këtij ligji.