Kriza prek të ardhurat e qytetarëve, skanë para për kreditë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani
Rritet presioni te familjet: Për pagesën e kredisë, ulet konsumi i përditshëm.
Banka e Shqipërisë: Ritmi i përkeqësimit po bëhet shqetësues.
Aftësia paguese e kredisë nga ana e individëve ka ardhur në përkeqësim, tregues ky që shihet me shqetësim nga Banka e Shqipërisë.
Në raportin e stabilitetit financiar për 6-mujorin e dytë të vitit 2011, thuhet se në 12 muaj, ritmi i rritjes së kredive të këqija për individët ka qenë 2.62 për qind. Rënia e aftësisë paguese vjen si efekt i të ardhurave të pamjaftueshme, duke përforcuar edhe një herë faktin që përkundër shifrave, Shqipëria nuk ishte dhe nuk është aq imune nga kriza sa trumbetohet. Norma e kredisë me probleme shënoi 15.35% në dhjetor 2011, krahasuar me 13.91% në qershor 2011 dhe 12.74% në dhjetor 2010. Gjithsesi, ritmi i rritjes së këtij raporti me 2.62
pikë përqindje gjatë 12 muajve mbetet shqetësues, pavarësisht se vetë stoku i kredive me probleme është zgjeruar me një ritëm më të ngadaltë se një vit më parë, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë. Referuar këtyre shifrave që jep BSH, dalim në përfundimin se nga 1.4 miliardë dollarë, që është në total kredia e individëve në sektorin bankar, rreth 216 milionë dollarë klasifikohen tashmë si një kredi me probleme. Banka e Shqipërisë gjykon se viti 2012 mund të jetë një vit i vështirë dhe se individët janë të ekspozuar ndaj riskut të kredisë për një sërë shkaqesh. Ekspozimi i individëve ndaj rrezikut të kredisë për vitin 2012 vlerësohet të mbetet i pranishëm në vijim të një rritjeje ekonomike të ngadaltë, një norme të moderuar të zgjerimit të kredisë dhe shtimit të pasigurisë në lidhje me aktivitetin ekonomik, vlerëson BSH.
Borxhet
Rënia e aq shumëpërfolur e konsumit duket se nuk është efekt vetëm i kursimit të individëve për shkak të pasigurisë, por edhe i pamundësisë për të shpenzuar për shkak të nivelit të limituar të të ardhurave. Një pamundësi e tillë duket se i ka orientuar individët drejt borxhit, dhe jo vetëm drejt atij formal të marrë në banka, por te borxhi informal, i marrë nga të njohurit. Ky fenomen, në fakt, është duke u lakuar fort edhe pse nuk ka një tregues të saktë se sa arrin borxhi që individët marrin nga të afërmit. Një anketë e Bankës së Shqipërisë me 1200 familje të intervistuara, nxjerr në pah një tendencë të theksuar të individëve për tu orientuar më shumë drejt fajdeve, sesa drejt bankave nëse do të kishin nevojë për para. Mbi 28 për qind e familjeve të intervistuara janë shprehur në anketë se aktualisht kanë një borxh për të paguar. Në anën tjetër, ata që nuk kanë aktualisht një borxh tregojnë një tendencë 54 për qind për ta marrë këtë nga një i afërm apo një person fizik dhe 42 për qind do të orientoheshin te bankat. Në përgjithësi, sipas Bankës së Shqipërisë, borxhi vijon të merret në lekë dhe jo në valutë.
Raporti: Zgjidhja po gjendet te borxhi informal
BERZH: 60% e shqiptarëve u prekën nga kriza ekonomike
Kriza ka prekur pjesën më të madhe të shqiptarëve dhe BERZH do të ishte e para që do të lakonte në mes të vitit të kaluar rritjen e lartë të borxhit informal. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim doli në këtë përfundim pas një ankete të zhvilluar në 30 shtete, ku për Shqipërinë rezulton se 60 për qind e të anketuarve shprehen se janë prekur nga kriza. Nga këta, 25 për qind theksojnë se janë prekur shumë dhe 35 për qind se janë prekur mjaft. I diskutuar në një takim në Tiranë pak ditë më parë me prezencën e një eksperti të BERZH-it, raporti Jeta në tranzicion-pas krizës konfirmoi edhe një herë se individët zgjidhjen për situatën e vështirë po e kërkojnë te borxhi informal, duke rikthyer edhe një herë një situatë fajdesh. Orientimi drejt borxhit informal kryesisht te të afërmit apo te të njohurit, sipas raportit të BERZH-it, ka të bëjë me nivelin e besimit që qytetarët kanë tek institucionet. Raporti del në përfundimin se individët i besojnë më shumë njëri-tjetrit, sesa bankave apo institucioneve të tjera. Në shifra rezulton që Shqipëria dhe Mongolia janë dy shtetet që kanë pësuar rritjen më të madhe absolute në nivelet e besimit të përgjithshëm, nga 27 për qind në 2006-n, në 46 për qind në 2010-n. Kjo masë e të anketuarve është përgjigjur se ka besim apo besim të plotë te të tjerët. Krejt e kundërta ndodh me institucionet për të cilat niveli i kënaqësisë apo besueshmërisë nuk është në nivele të larta.
Pyetësori i Bankës për individët
U intervistuan 1210 familje, të ndarë në 27 rrethe.
Të intervistuar në qytet, 55 për qind e familjeve.
Të intervistuar në fshat, 45 për qind e familjeve.
Burimet kryesore të të ardhurave:
Punësimi në sektorin privat, 27 për qind.
Pensionet, 30 për qind.
Vetëpunësimi, 24 për qind.
Sjellja me borxhin
Rreth 26% e familjeve deklarojnë përkeqësim të aftësisë së tyre paguese.
Shkaqet
Rënies së të ardhurave familjare dhe rritjes së shpenzimeve.
Zgjidhjet
Në 60% të rasteve familjet ulin shpenzimet e tyre.
Në 20% të rasteve kërkojnë një punësim të dytë.
Në 15% të rasteve kërkojnë rinegocim të kushteve të borxhit.
Parashikimet e borxhit
Rreth 78% e familjeve huamarrëse nuk presin ndryshim të aftësisë së tyre paguese.
Rreth 16% e familjeve presin përkeqësim të aftësive të tyre paguese.
Për 60% të familjeve nuk ekziston mundësia e marrjes së një borxhi të ri.
Pse merret borxh
Blerja/riparimi i një prone të paluajtshme në 38% të rasteve. Konsumi në 23% të rasteve.
Zhvillimi i biznesit në 10.8% të rasteve.
Llojet e borxhit
Rreth 54% e borxhit është formal.
Rreth 41% është borxh potencialisht informal.
Afatet e Kredive
Në 44% të rasteve borxhi është afatmesëm, 1-3 vjet.
Në 28% të rasteve borxhi është afatshkurtër, 12 muaj.
Individët, shumë depozita, pak kredi
Për kursimet individët shkojnë në bankë, për kreditë besojnë më shumë te fajdet mes familjarëve.
Raporti i Bankës Botërore: Më shumë para borxh nga të afërmit.

Kredite sipas qyteteve
Raporti depozita/kredi të dhëna për individët duket se po ecën në mënyrë gjithnjë e më të zhdrejtë në sektorin bankar. Kjo reflektohet në krahasimin e nivelit të rritjes që kanë pasur depozitat sipas Bankës së Shqipërisë dhe nivelit të ngushtimit që është vënë re te kreditimi. Raporti i stabilitetit financiar vëren se pozicioni si kreditor i individëve në fund të vitit 2011 ka ardhur duke u thelluar. Ky zhvillim reflekton rritjen e depozitave të individëve me 96.4 miliardë lekë, ndërkohë që kredia është ngushtuar me 380 milionë lekë, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë. Banka e Shqipërisë shprehet në raportin e saj se kreditimi për individët është ngushtuar, por më herët, në daljet e guvernatorit, shpesh është theksuar se rënia ka të bëjë edhe me kërkesën e moderuar. Një sjelle e tillë e individëve për të kërkuar sa më pak kredi në kohë të turbullta si ato të postkrizave, shoqërohet me rritje të bo