E Diel, 1 Nëntor 2026

Gazsjellësi TAP, depozita në Divjakë dhe Dumre

Këto dy depozita kanë kapacitet mbajtës prej 3 miliardë metra kub gaz, që mund të shërbejnë si një rezervuar mjaft i mirë në shërbim të furnizimit me gaz për Evropën dhe me kosto më të ulët. TAP ka parashikuar një kthim në drejtim të kundërt fizik të rrjedhës deri në masën 80% dhe mundësinë për të zhvilluar facilitete për magazinimin e gazit natyror në Shqipëri, me qëllim që të rrisë sigurinë e furnizimit të Evropës me gaz.

Projekti për gazsjellësin TAP ka shanse dhe mundësi zhvillimi, pasi konsiderohet si më fitimprurësi nga të tjerët, si NABUKO, që po konkurrojnë në fushën e madhe të gazit Shah Deniz në Azerbajxhan, që menaxhohet nga grupi i madh "British Petroleum" (BP) dhe me aksionerë disa nga gjigantët e sektorit. Së fundi, Konsorciumi për gazsjellësin e Azerit, TAP po nis fazën e studimeve inxhinierike, duke dhënë premisa shumë optimiste se projekti final do të jetë "Trans Adriatic Pipeline" ndaj NABUCO, vendimi final për të cilin do të vendoset në vitin 2013.

Zëdhënësi i BP, Bob Dudley është shprehur në mediat se konsorciumi që do të zhvillojë gazsjellësin e Shah Deniz do të nisë me pjesën inxhinierike dhe dizenjimin e sjelljes në punë të projektit me shumën 25 miliardë usd. Rashid Javanshir, president i BP-së për Azerbajxhanin, Gjeorgjinë dhe Turqinë është shprehur se studimet inxhinierike, marrëveshjet tregtare dhe mbështetja e shtetit të Azerbajxhanit dhe qeverive të tjera i japin konsorciumit Shah Deniz besimin për të thyer akullin, duke nisur fazën praktike. Zona e Shah Deniz, zhvillohet nga grupet e mëdha "BP", "Statoil" dhe "SOCAR", (kompania shtetërore Elektroenergjetike e Azerbajxhanit) dhe vlerësohet të ketë 1.2 trilionë metra kub gaz. Prej kësaj fushe kompanitë europiane shpresojnë të furnizohen për dekada, duke ndërprerë varësinë që kanë me Rusinë.

Gjurma e TAP-it në Shqipëri u identifikua nga një studim i zgjeruar në vitet 2009-2010, ku u shmangën zonat habitate natyrore, si Parku Kombëtar i Hotovës dhe lugina e lumit Vjosë. Tubacioni pritet të hyjë nga Greqia në Miras në Korçë, do të ketë gjatësi 209 km. deri në bregdet, në veri-perëndim të Fierit. Nëpër det të hapur tubacioni 60 km i gjatë do të kalojë për të hyrë në Italinë e Jugut, pranë San Fokës në Leçe. Tubacioni i TAP do të jetë rreth 800 km të gjatë, ku në Greqi do të ketë 478 km.  Burime të TAP-it njoftojnë se studimi mbi ndikimin në mjedis është kryer për Shqipërinë dhe Greqinë për transportimin e gazit nga Azerbajxhani, drejt Europës, ndërsa kanë dorëzuar edhe në Itali përfundimet e studimit mbi Vlerësimin e Ndikimit Mjedisor dhe Social.

Ndërtimi i tubacionit pritet të fillojë në vitin 2015 nëse TAP do të përzgjidhet si zgjidhja e preferuar e transportit të gazit nga Konsorciumi i Shah Deniz. TAP do të transportojë gaz nga rajoni i Kaspikut përmes Greqisë dhe Shqipërisë, do të kalojë në detin Adriatik në jug të Italisë dhe më tej, në Evropën Perëndimore, ç'ka rrit sigurinë e furnizimit dhe diversifikimin e furnizimeve me gaz për tregjet evropiane. TAP konsiderohet si "Korridori Jugor i Gazit" në Evropë që krijon një treg të ri për gazin natyror nga rajoni i Kaspikut. /Start/

                                                                                             2012-04-22 09:39
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›