E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshja për çmimet e energjisë, sërish ata që do paguajnë jemi ne

Share

Duket se mosmarrëveshjet e kompanisë së shpërndarjes së energjisë, CEZ, me qeverinë shqiptare po shkojnë drejt sheshimit. Siç raporton Top Channel, është rënë dakord që Korporata Elektroenergjetike Shqiptare të ulë çmimin me të cilin i shet energji CEZ-it. Në këtë mënyrë qeveria do subvencionojë sërish KESH-in dhe paratë do dalin nga xhepat e taksapaguesve. Me fjalë të tjera, nuk e kemi në faturë rritjen e çmimit, por e kemi në çdo shërbim tjetër të shtetit.

Po si qëndron problemi?

Në fillim të këtij viti, ERE vendosi të rrisë çmimin me të cilin KESH i shet energji CEZ-it. Natyrisht nuk rrisnin dot çmimet direkt për qytetarët se kjo do kishte një kosto të madhe politike për Sali Berishën dhe qeverinë e tij. Edhe kështu, qeveria po shpenzon tmerrësisht shumë për blerje energji për shkak të situatës së vështirë energjetike. Por të lësh Shqipërinë pa drita ka kosto elektorale.

Dhe çmimi rritet në shpinë të CEZ, me një vlerë prej 91 përqind. Kompania çeke ankohet në vendin e saj, kryeministri i Çekisë mbërrin në Shqipëri për gjoja studim të mundësive për investime këtu (vaj medet) dhe i kërkon Berishës një marrëveshje.

Tanimë TCH bën me dije se çmimi me të cilën i shet energjinë KESH CEZ-it zbret nga 2.83 në 2.02 lekë. Humbjet për kompaninë shtetërore KESH shkojnë në 33 milion euro në vit, humbje që do kompensohen sërish nga arka e shtetit, d.m.th nga vetë ne.

Nuk mjafton fakti që po paguajmë importet e shtrenjta për sekserët serbë të Berishës, nuk mjafton as fakti që superfuqia energjetike nuk duket asgjëkundi pasi kaluan shtatë vite dhe nuk shohim asnjë projekt energjetik në sfond, nuk mjafton as fakti që kemi një TEC në Vlorë si gërmadhë, edhe pse është i ri fringo, por tani do paguajmë sërish.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›