E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-PD, në shtator do të miratojnë komisionin për hetimin e zgjedhjeve



Më fillimin e sesionit të ri parlamentar, dy partitë e mëdha do të miratojnë së bashku ngritjen e komisionit hetimor për të bërë transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Burime pranë dy partive kryesore politike kanë bërë të ditur se në një nga seancat e para të sesionit të ri parlamentar, dy partitë do të vendosin për ngritjen e këtij komisioni që pritet të firmosë fundit e një krize politike më shumë se 1-vjeçare. Sipas burimeve, dy negociatorët e PS-së dhe të PD-së, respektivisht Gramoz Ruçi dhe Astrit Patozi, kanë rënë dakord për ngritjen e komisionit dhe objektin e hetimit të tij dhe se pikërisht kjo dakordësi do të zyrtarizohet në një nga seancat e para parlamentare. Ngritja e komisionit për hetimin e zgjedhjeve i hap rrugën miratimit të një sërë ligjesh të rëndësishme që kërkojnë shumicë të cilësuar votash nga ana e PS-së, si dhe fillimin e punës për reformën zgjedhore që parashikon ndryshime në Kodin Zgjedhor.
Hetimi
Duket se kanë qenë pikërisht dy takimet e fundit midis Ruçit dhe Patozit në ambientet e Kryesisë së Kuvendit që vulosën konsensusin midis dy partive. Burimet bëjnë të ditur se palët kanë rënë dakord në hetimin e të gjitha provave që do të paraqesë Partia Socialiste në këtë komision dhe që vërtetojnë manipulimin e zgjedhjeve në disa qendra, si dhe hetimin e materialeve zgjedhore. Ndërkohë që bëhet e ditur se PS-ja do të vazhdojë të mbajë të njëjtin qëndrim duke kërkuar që fletët e votimit të mos digjen deri në fund të punës së këtij komisioni, gjë për të cilën duket se ka vend për konsensus. Në takimet e tyre Ruçi dhe Patozi ranë dakord për ngritjen menjëherë të komisionit parlamentar të hetimit të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Komisioni në fjalë do të drejtohet nga Partia Socialiste, e cila do të ketë dhe shumicën e anëtarëve. Puna do të nisë me hapjen e materialeve zgjedhore. Bisedimet janë përqendruar kryesisht në teknikën që do të përdoret për t’i shkuar deri në fund transparencës, siç kërkon opozita. Vetë kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, bëri të ditur në përfundim të takimit të parë mes tij dhe Patozit pikat për të cilat ranë dakord dy politikanët. “Pas diskutimeve të gjata unë konfirmoj se së pari, të dyja palët ranë dakord për domosdoshmërinë e ngritjes së komisionit hetimor lidhur me transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit sa më shpejt të jetë e mundur, brenda këtij sesioni parlamentar, dhe ky komision të jetë i ri, jo në vazhdim i atij vendimi të mëparshëm të Parlamentit. Së dyti, të dyja palët ranë dakord që maxhorancën dhe drejtimin e komisionit ta ketë opozita dhe lidhur me këtë, në takimet që do të pasojnë, të gjejmë modalitetet përkatëse ligjore që kjo dakordësi politike të garantohet ligjërisht. Së treti, ramë dakord që objekti i hetimit të jetë gjithçka që ekziston në kutinë e materialeve zgjedhore. Së katërti, ramë dakord që të gjitha institucionet shtetërore, KQZ-ja, apo institucione të tjera private që kanë lidhje me zgjedhjet, sipas kërkesave që unë i parashtroj komisionit që mund të ngrejë Parlamenti shqiptar, të jenë të detyruara që t’i përgjigjen në një afat kohor sa më të shpejtë dhe mundësisht brenda 7 ditësh. Dhe së fundi, ramë dakord që të jetë objekti i diskutimit të takimeve që do të pasojnë gjetja e modaliteteve për trajtimin e kutive të fletëve të votimit”, - ka bërë të ditur për mediat kryetari i Grupit të PS-së, Ruçi. Më tej Ruçi sqaroi se objekt hetimi do të jenë të gjitha materialet që përmban kutia e materialeve zgjedhore të administruara nga KQZ-ja. Ai tha se deri në zgjidhjen e plotë kësaj çështjeje, marrëdhëniet e opozitës me Kuvendin do të vazhdojë të jetë e kushtëzuar.

Berisha në Korçë: “Qeveria do të vazhdojë reformat në ndihmë të investitorëve”

Gjatë përurimit të një investimi privat dje në qytetin e Korçës, kryeministri Berisha deklaroi se gjatë vjeshtës qeveria do të ndërmarrë një sërë reformash që u vijnë në ndihmë investitorëve vendas. “Kudo në vend bëhen investime shumë serioze dhe cilësore, por ndihem i kënaqur dhe i lehtësuar sepse kjo qeveri ia ka dalë të krijojë një mjedis më miqësorin në Europë dhe botë për bizneset. Tregu shqiptar, duke mbetur gjithnjë i hapur për të gjitha prodhimet europine dhe botërore, gjithnjë e më shumë furnizohet me prodhimet e vendit, nga të cilat në distancë janë absolutisht më të mirat në Europë dhe më gjerë. Duhet ta kemi shumë të qartë se prodhime më të shijshme se prodhimet e këtij vendi, nuk gjenden në asnjë vend tjetër”, - është shprehur Berisha, duke folur me tone entuziaste për zhvillimet ekonomike në Shqipëri, dhe veçanërisht për rritjen e eksporteve të produkteve shqiptare. “Ky inaugurim ndodh në një kohë kur vende të tjera të Europës janë pllakosur dhe kapur nga një krizë e rëndë. Ky inaugurim është dëshmi e një gjallërie të madhe të ekonomisë shqiptare. Dua t’ju them se një nga zhvillimet më të mëdha dhe më pozitive në historinë e Shqipërisë ka ndodhur pikërisht në vitin 2010 dhe ky zhvillim është rritja me 70 për qind deri tani e eksporteve ‘Made in Albania’, pra eksporteve shqiptare. Ky zhvillim ka një rëndësi kapitale, sepse ekonomia shqiptare është një ekonomi reale, një ekonomi me gjallëri të madhe, një ekonomi e bazuar në lumenj djerse dhe mundi, por problemi i saj madhor ka qenë deficiti tregtar, i cili është kompensuar dhe kompensohet nga mundi, djersa dhe dashuria që kanë për Shqipërinë, për familjet e tyre, emigrantët shqiptarë. Këtë vit ka shkëputje të madhe. Këtë vit eksportet janë rritur me 70 për qind, importet janë rritur me 8 për qind, duke mbajtur regjimet më të hapura. Kudo në vend bëhen investime shumë serioze dhe cilësore, por ndihem i kënaqur dhe i lehtësuar, sepse kjo qeveri ia ka dalë të krijojë një mjedis më miqësorin në Europë dhe botë për bizneset”, - është shprehur kreu i qeverisë.

Pollo hap garën për licencën e internetit në celular

Ministri i Teknologjisë dhe Inovacionit, Genc Pollo, ka hapur dje garën për të gjitha kompanitë që janë të interesuara të marrin licencën e internetit në celular. Programi, i njohur ndryshme me emrin “3G”, pritet të sjellë nga kompanitë celulare një kapacitet shumë më të lartë në transmetimin e të dhënave në aparatet celularë dhe do të rrisë shumë herë shpejtësinë e internetit në këto aparate. “Përdorimi i teknologjive të brezit të tretë, të njohura si 3G apo Third Generation, nga kompanitë celulare do të sjellë një kapacitet shumë më të lartë në transmetimin e të dhënave në aparatet celularë dhe do të rrisë shumë herë shpejtësinë e internetit në këto aparate”, - thuhet në njoftimin e Ministrisë. Specialistët shprehen se duke aplikuar teknologjitë 3G hidhet një hap i rëndësishëm në realizimin e projektit “Shqipëria Dixhitale”. Ministri Pollo, si ministër përgjegjës për komunikimet elektronike, miratoi propozimet e rregullatorit të fushës, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare, pas studimit të brezit të frekuencave nga ky i fundit. Autorizimi individual për fituesin e garës do të ketë një kohëzgjatje prej 15 vjetësh dhe gara do të fillojë nga çmimi dysheme prej 12.5 milionë euro. Tenderi që do të çelet ditët e ardhshme do të administrohet nga AKEP.

21 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›