INSTAT: Industria dhe ndërtimi e kanë nisur vitin 2010 me regres
Ervin KOÇI
Edhe viti 2010 ka nisur me “këmbë ters” për sa i përket zhvillimit ekonomik të vendit. Dy prej sektorëve më kryesor ekonomik, industria dhe ndërtimi, të cilët kanë dhe ndikimin më të konsiderueshëm në rritjen ekonomike të vendit dhe në punësim, po pësojnë rënie të vazhdueshme. Këto janë të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave, i cili i ka dhënë fund optimizmit që ka shoqëruar zyrtarët gjatë vitit 2009 lidhur me rritjen dyshifrore ekonomike që do të kishte Shqipëria. Sipas këtij institucioni, ekonomia jo vetëm që nuk u rrit me dy shifra, por nuk u arrit as objektivi i buxhetit të rishikuar, prej 4.8 për qind. INSTAT-i ka konstatuar se gjatë 3-mujorit të fundit të vitit 2009 grupi i industrive ka pësuar një rënie prej 4.1 për qind ndërsa në ndërtim vlerësohet ulja e aktivitetit me 14.4 për qind, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Ecuria negative e këtyre 2 sektorëve ka ngadalësuar rritjen ekonomike të vendit që në 3-mujorin e fundit të vitit që lamë pas vlerësohet në 3.3 për qind. “Për sa i përket grupit të industrisë, ajo shënoi një rënie prej 4.1 për qind krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2008 dhe një rritje prej 2.9 për qind krahasuar me tremujorin paraardhës. Sektori i ndërtimit në tremujorin e katërt të vitit 2009 shënoi një rënie prej 14.4 për qind krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2008 dhe një rënie prej 11.8 për qind krahasuar me tremujorin paraardhës”,- deklaroi përfaqësues i INSTAT-it, Ledion Shahini. Sipas INSTAT-it, gjatë tremujorit të fundit të vitit 2009 sektorët me rritjen më të madhe vlerësohen post-telekomunikacioni, tregtia, hoteleria dhe restorantet, si dhe transporti. Ndërsa në bujqësi rritja ka qenë e ulët me vetëm 1.7 për qind kundrejt një viti më parë.
Sektorët problematik
Duke bërë publike shifrat e llogarisë kombëtare për 3-mujorin e fundit të 2009, INSTAT konstatoi se ekonomia u ul me 0.8 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në pjesën e dytë të vitit 2009, ajo që u vu re ishte një ngadalësim i ritmeve, për shkak të efekteve negative të krizës ekonomike. Sipas INSTAT-it, sektori i industrisë dhe ai i ndërtimit kanë pësuar rënien më të madhe, ndërsa tregtia, post-telekomunikacioni, bujqësia apo transporti kanë shënuar rritje. Në tremujorin e katërt 2009, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim arriti 128.4 për qind (Trem.IV 1999=100), duke shënuar një rritje prej 0.1 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008 Indeksi i Kushtimit në Ndërtim ka shënuar një ulje 0.5 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 1.4 për qind. Indeksi i çmimeve të grupit “Shpenzime direkte” është rritur 0.1 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Indeksi i nëngrupit “Shpenzime materiale” është rritur me 0.1 për qind. Në këtë tremujor, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, çmimet e materialeve të ndërtimit, materialeve elektrike dhe hidro-sanitare janë rritur përkatësisht me 0.1, 0.5 dhe 0.1 për qind. Indeksi në nëngrupet “Shpenzime page” është rritur me 0.2 për qind. Rritja e pagave dhe pensioneve duket të jetë zhvlerësuar me inflacionin vjetor, norma e të cilit ka arritur në kufijtë e 3 për qind.
Çmimet e konsumit
Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin mars 2010, arriti 108.0 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007 (dhjetor 07=100), duke shënuar një rritje prej 0.1 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm. Ndryshimi vjetor në muajin mars është 3.9 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 1.6 për qind. Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije jo alkoolike” nuk ka ndryshuar, por brenda këtij grupi rritja më e madhe prej 2.5 për qind vërehet në nëngrupin “fruta”. Këtu mund të përmendim rritjen e çmimit të mandarinave me 9.2 për qind, limonëve me 2.3 për qind, dardhave me 2.4 për qind, bananeve me 2.1 për qind, etj. Gjatë muajit mars çmimet janë rritur edhe në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të veçojmë rritjet në nëngrupet, “peshk” me 1.1 për qind, “qumësht djathë e vezë” 0.5 për qind, “pije jo alkoolike” 0.4 për qind, etj. Ndërsa, çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” shënuan një ulje prej 2.4 për qind, ku mund të përmendim uljen e çmimit të trangujve me 16.6 për qind, spinaqit me 11.7 për qind, sallatës jeshile me 6.4 për qind, domateve me 4.4 për qind, etj. Indeksi i grupit “Veshje dhe këpucë” shënoi një ulje prej 0.5 për qind, ku mund të përmendim uljen e çmimit të veshjeve për gra me 1.1 për qind, veshjeve për burra me 1.0 për qind, këpucëve për burra me 0.7 për qind, këpucëve për gra me 0.3 për qind, etj. Indeksi i grupit “pije alkoolike dhe duhan” shënoi një rritje prej 0.7 për qind, brenda të cilit çmimi i duhanit shënoi një rritje prej 1.0 për qind. Indeksi i grupit “Transport” shënoi një rritje prej 0.5 për qind. Edhe gjatë këtij muaji vazhdoi rritja e çmimit të karburanteve dhe konkretisht çmimi i naftës shënoi një rritje prej 1.4 për qind, dhe çmimi i benzinës 3.2 për qind. Indeksi i grupit “Qira ujë lëndë djegëse dhe energji” shënoi një rritje prej 0.2 për qind, ku mund të veçojmë rritjen e çmimit të ujit të pijshëm me 25.1 për qind. Në grupet e tjera ndryshimet mujore variojnë nga 0.1 për qind ne 0.2 për qind.
BOX//////////////////////////
Komisioni i Ekonomisë miraton marrëveshjen për Eurobondin
Eurobondi me vlerë deri në 400 milionë euro, që qeveria shqiptare do të emetojë në tregun ndërkombëtar do të ketë një normë interesi deri në 7.5% dhe do të merret për një afat 5 vjeçar. Zëvendësministri i Financave, Nezir Aldeda e ka konsideruar një veprim të zgjuar ekonomik marrjen e këtij borxhi për të shlyer kredinë 300 milionë euro me interes 11.5% të marrë vitin e kaluar për rrugën Durrës-Kukës duke hedhur kështu poshtë edhe akuzat e opozitës për thellim të borxhit të vendit. “E gjithë bota merr borxh për të larë borxh dhe ne po marrim një pjesë të këtyre që do rezultojnë nga eurobonder dhe kështu po shlyejmë një financim më të shtrenjtë me një më të ulët. Të marrësh një borxh më të lirë për të shlyer një borxh më të shtrenjtë është gjëja më e zgjuar dhe më e pranueshme. Në këtë aspekt, pavarësisht nga teoritë e krizës, njerëzit që nuk e shikojnë kështu e shohin krizën në aspekte të tjera dhe jo në aspektin ekonomik”,- u shpreh zëvendësministri i Financave, Aldeda. Këtë deklaratë numri dy i dikasterit të Financave e bëri dje në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë gjatë miratimit të marrëveshjes me bankat e huaja për emetimin e Eurobondit. Ai ka deklaruar se mbetet prioritet ulja e borxhit nën 50% të Produktit të Brendshëm Bruto, nga 59.55 e GDP-së që është aktualisht niveli i këtij treguesi. Gjatë hartimit të buxheti 2010, zëri i interesave që duhet të paguajë qeveria për borxhet që ka marrë, arrin në 52 miliardë lekë, me një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin 2009. Ky fakt ka ardhur si pasojë e kostove të larta të kredive që janë marrë.
13 Prill 2010