E Diel, 1 Nëntor 2026

Kasat fiskale me probleme, kompanitë e hidrokarbureve gjobiten nga Tatimet



Dështimi i vendosjes së kasave fiskale, një projekt i ministrisë së Financave, i nisur prej vitesh, po penalizon kompanitë hidrokarbure të vendit. Sekretari i shoqatës së kompanive të mëdha të tregtimit të karburanteve, Viktor Nushi, tha se situata në të cilën gjenden këto subjekte të tregut është paradoksale. Nga njëra anë qeveria dështon në vendosjen e kasave e nga ana tjetër administrata tatimore vendos gjoba për mungesë të tyre. “Jemi totalisht të gatshëm të financojmë, të përballojmë të gjitha shpenzimet për të pajisur pikat e karburanteve me ato çfarë përcakton vendimi i Këshillit të Ministrave. E çuditshme është se ne paguajmë para. Kompanitë që kanë fituar tenderin në ministrinë e Financave nuk e zbatojnë kontratën. Gjobat i hamë ne. Këto kompani marrin milionat dhe bëjnë biznesin e tyre në dëm të biznesit tonë. Qeveria duhet të na mbështesë. Çdo gjobë që vihet sot nga shteti apo privatisht apo presionet është në dëm të kompanive të karburantit. Duhet menjëherë të gjejë zbatim vendimi i qeverisë dhe të imponojë kompanitë të cilat janë të detyruara të vendosin pajisjet”,- deklaroi Nushi.

Kriza, Bulgaria “braktis” përkohësisht euron

Qeveria bullgare deklaroi se do të tërheqë përkohësisht aplikimin e vet për anëtarësim në monedhën e përbashkët euro, për shkak se parashikon që nuk do të jetë në gjendje të plotësojë kriteret e anëtarësimit në bashkimin monetar. Ministri i Financave, Simeon Dyankov, deklaroi se vendi i tij do të rivlerësojë vullnetarisht të dhënat për deficitin buxhetor të viteve 2008 dhe 2009. Për vitin 2009, Sofja thotë se deficiti ka qenë i barabartë me 3.7 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që vlerësimi fillestar ishte vetëm 1.9 për qind. Bullgaria ka mbajtur deficit shumë të ulët buxhetor dhe në disa raste edhe suficit, me qëllim që të ruajë stabilitetin e kursit të këmbimit në monedhës së vet, e cila është e lidhur me euron në kuotën 1.96 leva për euro. Tërheqja nga aplikimi për anëtarësim në euro erdhi pasi u kuptua se Brukseli mund të verifikojë të dhënat për deficitin buxhetor dhe të zbulojë se Sofja ka raportuar statistika të rreme.

Kredia për Greqinë rrit euron kundrejt dollarit

Euro pësoi sot një rritje kundrejt dollarit, teksa kambistët përshëndetën njoftimin e dhënë dje nga eurozona për një plan mbështetës financiar për Greqinë në 30 miliardë euro. Ndërkohë uro u shkëmbye me 1,364.6 dollar nga 1,349.7 dollarë. Vendet e zonës euro vendosën dje në dispozicion të Greqisë një plan ndihme në formën e një kredie prej rreth 30 miliardë eurosh për të ndihmuar në kapërcimin e krizës së saj që ka dobësuar mbarë Evropën. Mitul Kotecha, analist i këmbimeve valutore theksoi se, "shuma dhe kushtet e kredisë për Greqinë do të ndihmojnë në sigurimin e tregjeve''. Një rivlerësim disi më i ulët u shënua ndaj monedhave të tjera, si paundi britanik. Edhe Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Jean Claude Trichet ka mbështetur marrëveshjen e arritur mbi paketën e ndihmave për Greqinë. “Është pozitive dhe tani pres që Athina të zbatojë në mënyrë të përpiktë planin për konsolidimin fiskal”,- theksoi Trichet.

13 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›