Apeli lë në fuqi vendimin për Jaupin: Burg për jetë
VLORË – Gjykata e Apelit në Vlorë la në fuqi vendimin për dënimin me burg të përjetshëm ndaj shtetasit Katriot Jaupi, i cili akuzohet për vrasjen e ish-shefit të Krimeve të Beratit, Ilir Ngresi.
I akuzuari Kastriot Jaupi u ekstradua pak kohë më parë në Shqipëri pasi ishte arrestuar jashtë vendit. Menjëherë pas kthimit në Shqipëri i dënuar kërkoi rivendosjen e të drejtës së ankimit në afat, një e drejtë e cila iu njoh nga gjykata. Rrjedhimisht, Gjykata e Apelit mori në shqyrtim çështjen dhe në përfundim la në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për akuzën e vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të viktimës, i cili ka qenë zyrtar policie dhe është qëlluar për shkak të detyrës”.
Vrasja
Vrasja për të cilën akuzohet Kastriot Jaupi ndodhi në qytetin e Vlorës në vitin 2000, kur ish-zyrtari i policisë, major Ilir Ngersi, u qëllua me armë zjarri duke gjetur vdekjen.
Dy pista hetoi policia në lidhje me vrasjen, njëra ishte rihapja e hetimeve nga Ilir Ngresi për ngjarjet e vitit 1997 dhe tjetra akuza që Kartiot Jaupi i bënte zyrtarit të policisë për vrasjen e vëllait të tij, Ilir Jaupi, në një aksion të policisë. Pas krimit, i dënuari u largua nga Shqipëria, por u arrestua në Spanjë në vitin 2001 dhe më pas u ekstradua në Shqipëri. Në vrasjen e Ilir Ngresit ka marrë pjesë edhe Dritan Zhuka, i njohur me nofkën “Shuaipi”.
Ekstradimi
Më 20 tetor 2008 Kastriot Jaupi u ekstradua nga Drejtësia shqiptare. Për ekstradimin e tij kishin betejë dy shtete të tjera, të cilat e kishin shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ai u riatdhesua nga Milano e Italisë, sepse Gjykata e Vlorës e kishte shpallur atë fajtor duke e dënuar me burgim të përjetshëm për veprat penale të “vrasjes me paramendim në bashkëpunim për shkak të cilësive të veçanta të viktimës“, “vrasjes me paramendim në bashkëpunim për shkak të cilësive të veçanta të viktimës, të mbetur në tentativë“ dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.
Pak kohë pas vrasjes Jaupi u arratis fillimisht në Itali, ku konsumoi vepra penale dhe më pas u largua drejt Spanjës, ku dhe u arrestua. Gjatë kohës së qëndrimit në Itali emri i tij u lakua si i implikuar në trafikun e lëndëve narkotike. Për kalim të paligjshëm të kufirit Policia spanjolle nuk ngurroi të çonte në qeli shqiptarin e superkërkuar, arrestim i cili u krye në vitin 2001. Pasi përfundoi dënimin në burgjet spanjolle, Drejtësia shqiptare nisi procedurat për ekstradimin e Jaupit, por një gjë të tillë kërkohej paralelisht edhe nga Drejtësia italiane.
Në garën e zhvilluar për ekstradimin e të kërkuarit fitoi Drejtësia italiane, e cila mori në dorëzim Kastriot Jaupin, ku ai do të gjykohej për një sërë veprash penale për të cilat dyshohej se kishte konsumuar kryesisht atë të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Pas rreth katër vitesh “lutje”, Drejtësia shqiptare mundi të bindte autoritetet italiane se Kastriot Jaupi duhej të vuante përjetë në burg për vrasjen e majorit Ilir Ngresi. Pas kthimit në Shqipëri, i dënuari me dënimin kapital bëri ankimim në Gjykatën e Apelit Vlorë, por me vendimin e djeshëm shuhen të gjitha shpresat për ulje dënimi.
Kërkesa e avokatëve shtyn sërish procesin për komisionerët e Ruzhdies
FIER - Shtyhet sërish seanca gjyqësore për dosjen “Ruzhdie” në Fier. Seanca gjyqësore në ngarkim të 5 komisionerëve dhe 4 banorëve të Ruzhdies ka pasur si shkak të shtyrjes këtë herë kërkesën për mbrojtje ndaj të pandehurve me avokat. Të akuzuarit Bujar Kararaj, kryetar i komisionit, Pëllumb Myrtaj, zëvendëskryetar dhe anëtarët e komisionit, Robert Myftaraj, Veledin Myftaraj dhe Shezai Kararaj, kanë kërkuar mbrojtje me avokat në seancë.
Sipas organit të akuzës ekziston dyshimi i arsyeshëm bazuar në prova se shtetasit Bujar Kararaj, Pëllumb Myrtaj, Robert Myftaraj, Veledin Myftaraj dhe Shezai Kararaj kanë kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim. Akuzat që bien mbi ta janë falsifikim i rezultatit të zgjedhjeve të qershorit 2009, votim më shumë se një herë në bashkëpunim dhe shkelje të fshehtësisë së votimit në bashkëpunim në komunën Ruzhdie të Fierit. Një tjetër akuzë që bie mbi komisionerët është falsifikimi i dokumenteve.
Masa, “burg pa afat” për vrasësit e magazinierit
KORÇË - Dy nga autorët e vrasjes së 73-vjeçarit Nexhat Gega, pronar i një magazine në fshatin Pojan, janë lënë në “burg pa afat”. 25-vjeçari Blerim Berberi dhe shoku i tij Nerton Fetahu, të dy nga fshati Pojan, kanë dalë dje para togave të zeza për masën e sigurisë pas arrestimit të tyre nga policia për veprën penale të vrasjes në bashkëpunim. Për shkak të moshës së mitur, autori i tretë i kësaj ngjarjeje pritet të dale për masë sigurie sot. Tre personat e vënë nën akuzë dyshohet se janë autorë të grabitjes më datën 25 mars, ku mbeti i vrarë shtetasi Nexhat Gega. Gjykata e Korçës ka lënë në burg dy të rinjtë, të cilët, krahas vrasjes së 73-vjeçarit, akuzohen edhe për një sërë grabitjesh më armë dhe maska në fshatrat e Pojanit dhe në Qafën e Zvezdës.
13 Prill 2010