E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procedura për të plotësuar vitet e punës

Personi i interesuar për sigurim vullnetar duhet të paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendit ku ai banon dhe duhet të marrë kontakt me inspektorin e sigurimit vullnetar. Pas kësaj, personi i interesuar për këtë pagesë duhet të ketë me vete fotokopje të librezës së punës, ku pasqyrohen periudhat e sigurimit, fotokopje të librezës së kontributeve, në rast se e disponon, si dhe fotokopje të letërnjoftimit elektronik. Pasi bihet dakord për pagesën, sipas procedurës së përshkruar, dhe bëhet pagesa nga qytetari, inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore është i detyruar të bëjë pasqyrimin në librezë të kontributeve të personit të interesuar, ose të hapë librezë të re në qoftë se nuk ka. Sipas drejtorit të Kontributeve, Naim Balluku, vazhdim vullnetar të sigurimit kanë të drejtë të bëjnë personat e interesuar, të cilët janë larguar nga sigurimi i detyrueshëm dhe, nëpërmjet marrëveshjes për këtë fushë sigurimi, bëjnë sigurim vullnetar. Po ashtu, mbulim vullnetar të periudhave të kaluara kanë të drejtë të bëjnë edhe personat e interesuar, të cilët paguajnë kontribute vullnetare për periudhat e kaluara dhe jo për vitin korrent. Kontributi që do të paguhet, do të jetë në masën e kontributit minimal në kohën e pagesës së tyre. Përfitimet në këtë fushë janë vetëm për pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar. Sigurim vullnetar kanë të drejtë të bëjnë personat e interesuar, të cilët nuk janë ekonomikisht aktivë dhe sigurohen për vitin korrent. Ata kanë të drejtë të paguajnë kontribute deri në nivelin maksimal, për të përfituar deri në nivelin maksimal të pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familjar. Sigurim për një shumë më të madhe të ardhurash kanë të drejtë të bëjnë të vetëpunësuarit, të punësuarit dhe punëdhënësit privatë, duke paguar kontribute deri në nivelin maksimal, për të përfituar deri në nivelin maksimal të pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familjar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›