E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asgjësohet banda e trafikimit të armëve Shqipëri-Greqi

DURRËS – Arrestimi i një personi të përfshirë në trafik droge në Gjirokastër disa ditë më parë është bërë shkak që të prangosen edhe katër trafikantë armësh, të cilët i trafikonin në Greqi. Policia e Durrësit ka arritur të arrestojë ditën e djeshme Kanan Xhakollarin, Lulzim Qamon, Astrit Zylyftarin dhe Asllan Plakun. Sipas të dhënave paraprake mësohet se personat e arrestuar blinin armë në Shqipëri për t’i trafikuar më pas drejt shtetit helen. Operacioni i koduar “Tregtarët e telefonave” u realizua nga agjentët e Policisë së Durrësit, në bashkëpunim me prokurorët e Krimeve të Rënda. Në momentin e ndalimit të katër personave, banues në qytetin bregdetar, janë gjetur dhe sekuestruar disa armë automatike dhe pistoleta.

Arrestimi
Pas hetimeve disamujore, Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Prokurorinë për Krime të Rënda, arriti të finalizojë ditën e djeshme operacionin policor “Tregtarët e telefonave” duke arrestuar në flagrancë 4 persona nga Durrësi, të cilët kanë bashkëpunuar duke blerë armë dhe municione me qëllim trafikimin e tyre drejt Greqisë. Të arrestuarit janë Kanan Xhakollari 23 vjeç, Lulzim Qamo, 28 vjeç, Astrit Zylyftari, 23 vjeç, i dënuar një herë më parë për veprën penale të "trafikut të lëndëve narkotike" në Greqi dhe 18-vjeçari Asllan Plaku.
Burime të Drejtorisë së Policisë së Shtetit bënë të ditur se arrestimi në flagrancë i tyre u bë dje pas finalizimit të operacionit të nisur nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar në Departamentin e Hetimit të Krimit të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës dhe Prokurorinë për Krime të Rënda. Gjatë veprimeve hetimore shtetasve ju sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 armë zjarri automatike, nga të cilat tre tip "Kallashnikov", një tip "PMSH" si dhe dy armë zjarri pistoletë tip "TT".
Hetimet
Nga hetimet e deritanishme rezulton se të 4 personat e arrestuar janë pjesë të një grupi kriminal dhe në veprimtarinë e tyre kriminale kanë bashkëpunuar dhe me shtetasin Sotir Vasil Zako, 29 vjeç, lindur në Skrapar dhe banues në Durrës, arrestuar pak ditë më parë në Gjirokastër. Gjatë kontrollit të banesës së Sotir Zakos u gjetën e sekuestruan dhe lëndë narkotike e përzierës lëndësh narkotike, përkatësisht 100 gramë kokainë dhe 30 kilogramë paracetamol dhe lidokainë, të cilat shërbejnë si lëndë përzierëse të lëndëve narkotike kokainë dhe heroinë. Pas kryerjes së veprimeve të nevojshme hetimore, materialet procedurale në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë për Krime të Rënda për veprat penale të "trafikimit të armëve dhe municioneve luftarake" dhe "mbajtjes së lëndëve narkotike".
Precedenti
Vetëm tri ditë më parë, policia vuri në pranga tre persona, të cilëve iu sekuestruan 5 mina me telekomandë, si dhe disa armë. Gjatë kontrollit në automjet dhe në banesë, uniformat blu të Lezhës zbuluan një arsenal minash dhe armësh, destinacioni i të cilave nuk dihej. Në sajë të këtij operacioni u arrestuan vëllezërit Monel e Leandro Lamaj, si dhe Sokol Buseta.

“Vida e fundit”, pranga 15-vjeçarit për vjedhje makinash

FIER - Tentoi të grabiste një automjet me një kaçavidë dhe çelës, bie në pranga i mituri, i akuzuar dhe për disa vjedhje të tjera automjetesh. Policia e Fierit njofton se kanë arrestuar, në kuadrin e operacionit “Vida e fundit”, 15-vjeçarin me inicialet E. A., banues i këtij qyteti. Arrestimi i tij u bë pasi është kapur në flagrancë duke tentuar të vjedhë automjetin tip “Fiat Tipo”, me targë FR 5610 B, në pronësi të personit me inicialet A. T. Gjithashtu, në vijim të veprime hetimore ka rezultuar se ky person është autor i dyshuar edhe për disa vjedhjeve të tjera si ajo e motorit tip “DV 100 A” në pronësi të A. B., i vjedhur në fshatin Ndërmenas të Fierit; të automjetit tip “Fiat Punto” me targë TR 2016 P, në pronësi të personit me inicialet A. C., si dhe e automjetit tip “Opel Vektra” me targë FR 9425 C, në pronësi të personit me inicialet E. Q. Mësohet se ky person i realizonte vjedhjet me një kaçavidë dhe një çelës, ndërsa vazhdon puna për dokumentimin e plotë ligjor të këtyre ngjarjeve. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Vlorës për veprën penale të “vjedhjes”.

12 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›