E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga dy biznesmenëve, futën kontrabandë 20 mijë palë këpucë

TIRANË - Kaluan kontrabandë 20 mijë palë këpucë, vihen në pranga 2 biznesmenë, 2 të tjerë shpallen në kërkim, ndërsa një tjetër po hetohet në gjendje të lirë. Lajmi në fjalë është konfirmuar nga Policia e kryeqytetit, e cila njofton se të arrestuarit janë Durim Myslia dhe Zymbil Trota, ndërsa në gjendje të lirë po hetohet Bujar Shehu. Në sajë të një hetimi intensiv 2-mujor u bë i mundur sekuestrimi i rreth 20 mijë palëve këpucë kontrabandë, të cilat arrijnë vlerën prej rreth 500 mijë dollarësh. Ky mall kontrabandë dyshohet se vinte nga Bullgaria për në drejtim të Shqipërisë përmes pikës së kalimit kufitar Qafë-Morinë, me destinacionin përfundimtar rrugën ”5 Maji”, tregu i Medresesë në Tiranë. Sekuestrimi i këtij malli kontrabandë u realizua pasi u bënë verifikimet e dokumentacionit dhe rezultoi se malli nuk kishte asnjë dokument të origjinës dhe asnjë dokument të zhdoganimit të tij. Dyshohet se kontrabanda realizohej me dy automjete furgon dhe më pas malli kontrabandë shkarkohej në kamionin tip “Benz” me targë KU 2536 A, kamion në pronësi të shtetasit Zymbil Trota, i cili u sekuestrua së bashku me mallin. Aktualisht vazhdon puna intensive për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të personave të tjerë të përfshirë në këtë kontrabandë, kapja e dy personave të shpallur në kërkim, si dhe vazhdon puna e përbashkët edhe me organet tatimore Tiranë. Materialet procedurale do t’i kalojnë për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Tiranës për veprat penale të “tregtimit dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” si dhe “ruajta apo depozitimi i mallrave kontrabandë”.

12 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›