E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët marrin kontrollin

Konstituohet në veri te Mitrovices kuvendi paralel komunal serb

Serbët e Kosovës kanë nisur të bëjnë realitet deklaratat për krijimin e institucioneve paralale duke sfiduar hapur qeverinë në Prishtinë dhe UNMIK-un. Në pjesën veriore të Mitrovicës të administruar nga serbët u konstituua dje kuvendi paralel komunal  i quajtur “Parlamenti i Përkohshëm” bazuar në  rezultatet e zgjedhjeve lokale të Serbisë  të mbajtura edhe në territorin e Kosovës më 11 maj. Përfaqësuesit serbë deklaruan se, kryetar i komunës së Mitrovicës do të jetë Nenad Topliçeviç, nga Partia Radikale e Serbisë, e cila së bashku me Partinë Demokratike të Serbisë të Vojisllav Koshtunicës kanë arritur një marrëveshje koalicioni për pushtetin lokal.

Seanca konstituive pritet të mbahen edhe në komunën e Zubin Potokut, Prizrenit dhe Istogut, ndërkohë që më herët janë konstituuar edhe kuvendet komunale të Gjakovës, Deçanit, ndërsa në Gorazdevc të enjten u krijua Kuvendi komunal i kësaj zone. Formimi  i organeve komunale serbe, erdhi pas zgjedhjeve lokale të Serbisë edhe në Kosovë  ndonëse ato janë kundërshtuar me forcë nga amdinistrata e Kombeve të Bashkuara dhe vetë institucionet e Kosovës. Menjëherë ka reaguar Prishtina zyrtare duke e quajtur të jashtëligjshëm konstituimin e kuvendit komunal serb në Mitrovicë. Zyrtarë kosovarë thanë se një veprim i tillë është i papranueshëm, i paligjshëm dhe nuk do të ketë fuqinë për vendimmarrje. Zv/kryeministri i Kosovës Harjedin Kuçi tha dje për TV Alsat se konstituimi është vazhdimësi e punës së organeve paralelele. “Kemi dhënë qëndrimin e qartë se ato zgjedhje kanë qenë jo legjitime dhe kemi anulluar rezultatin e tyre, të njëjtën gjë e ka bërë edhe UNMIK-u. Mendoj se ky konstituim është jolegal dhe nuk do të ketë fuqi legale për funksionim dhe as institucional. Është një orvatje për vazhdimësinë e punës së organeve paralele, por besoj se në Kosovë do të sundojë rendi dhe ligji dhe qeveria do të bëjë çdo gjë që është në dorën e  saj që të shtrijë autoritetin dhe në Kosovë të ketë funksionalizim të institucioneve të dala vetëm nga zgjedhjet demokratike të ndërtuara dhe të shpallura nga organet kompetente të republikës së Kosovës” u shpreh Kuçi. Ndërsa kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi tha se serbët me kalimin e kohës do të zgjedhin atë që u kanë ofruar institucionet dhe plani Ahtisaari. “Oferta e institucioneve të Kosovës dhe ajo që ka dalë nga Presidenti Ahtisari është e hapur. Një fjalë popullore thotë “Njeriut mund t'i marrësh me zor, por nuk mund t'i japësh. Oferta është serioze. Ata duhet të zgjedhin dhe besoj se me kohë do ta zgjedhin atë që është ofruar seriozisht” u shpreh kryeparlamentari Krasniqi. UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës kanë bërë të qartë se organet e dala në bazë të zgjedhjeve të Serbisë që u mbajtën në territorin e Kosovës do të jenë të papranueshme dhe do të konisiderohen struktura paralele. Por kjo gjë duket se nuk po i pengon aspak serbët të ngrenë këto struktura dhe të marrin kontrollin e zonave ku vetë janë shumicë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›