Gjyqi, vrau për gjakmarrje, prokuroria kërkon 21 vjet burg
Shkodër-Akuza ka kërkuar 21 vjet burg për 26-vjeçarin Lulzim Rakaj, i cili akuzohet për vrasje me paramendim për gjakmarrje dhe armëmëmbajtje pa leje. Proçesi gjyqësor në ngarkim të tij është zhvilluar sot për herë të dytë në Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër pasi vendimi i mëparshëm i saj ishte hedhur poshtë nga Gjykata e Apelit dhe ishte dërguar për rigjykim.
Në pretencën e saj, prokurorja Edlira Cufi ka kërkuar 21 vjet për Lulzim Rakajn nga fshati Stërbeq i rrethit Malësi e Madhe, i cili akuzohet për vrajen e shtetasit Kolë Ndue Gjokaj.
Ngjarja për të cilën akuzohet Rakaj ka ndodhur për motive gjakmarrjeje, në mesditen e 18 prillit 2004. Lulzim Rakaj e vrau Kolë Gjokajn pasi vëllai i tij i kishte vravë babë.
Familja Gjokaj u largua drejt SHBA-së dhe në Hot qëndroi vetëm viktima Kolë Gjokaj, që punonte si tregtar i mallrave me shumicë nga Mali i Zi.
Viktima i ruhej gjaksit, por më 18 prillit të 2004 ai ka dalë tek pragu i jashtëm i banesës pasi kishte shkarkuar aty disa blloqe betoni. Lulzim Rakaj, që akuzohet për këtë vrasje ka qenë i fshehur në një ndërtesë të papërfunduar përballë shtëpisë së viktimës. Ai ka qëndruar në katin e dytë nga ku ka ndjekur lëvizjet e Gjokajt dhe më pas e ka qëlluar për vdekje atë. Kolë Gjokaj është dërguar për në Mal të Zi i plagosur, por ka vdekur rrugës. Kapja e Lulzim Rakajt u bë e mundur vetëm më 22 tetor 2005 , pas një operacioni policor me pjesmarrjen e forcave të FNSH –së.