Ia shohin hairin Salihit

Kohëve të fundit, Hamdi Salihi ka shpërthyer në elitën e futbollit amerikan (MLS) me DC Unitedin, në të cilin klub u transferua gjatë dimrit të kaluar nga ekipi austriak, Rapidi Vjena.
Në fakt, pas largimit nga ekipi austriak, sulmuesi shqiptar hasi në vështirësi goxha të mëdha për t’u adaptuar në skuadrën amerikane. Në fillim, forma e tij në DC United ishte larg asaj që e kishte në Rapid, dhe kjo kishte bërë që Salihi të lihej në bankinën e rezervistëve nga trajneri i tij, Ben Olsen.
Mirëpo, ky i fundi tashmë ka filluar t’i besojë Salihit, duke i dhënë hapësirë të mjaftueshme për të luajtur, dhe nuk gaboi, pasi shqiptari tani ka shpërthyer, duke shënuar gola ashtu siç bënte dikur në Austri.
E njeriu që u gëzohet ndoshta më së shumti kualiteteve të Salihit është trajneri i tij, Olsen, i cili tani thotë se me transferimin e shqiptarit në DC United nuk ka fituar vetëm skuadra e tij, por i gjithë futbolli amerikan.
“Hamdiu është një lojtar i shkëlqyeshëm, sidomos një golashënues i shkëlqyeshëm. Ai na duhet në ekip. Ai ka pasur një ndikim të madh te skuadra dhe te liga”, ka deklaruar Olsen për Zërin e Amerikës, duke e konsideruar 28-vjeçarin nga Shkodra si një futbollist që e çmon DC United.
“Ai është personi brenda zonës, që di se si të pozicionohet dhe të gjejë rrugën e golit. Të gjithë e dimë se në futboll kjo është më e rëndësishmja. Prandaj, ai është një lojtar i çmuar i klubit”, ka theksuar ai.
Në anën tjetër, edhe vetë Salihi ka treguar se tashmë është adaptuar mirë në futbollin amerikan, pas disa vitesh të kaluara në Austri, derisa thekson se dallimi ndërmjet futbollit që luhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe atij të Evropës është goxha i madh.
“Është diçka ndryshe. Futbolli këtu në Amerikë, jo se ka shumë ndryshim nga mënyra e organizimit, por mentaliteti në fushë është më ndryshe nga ai në Evropë, është pak më i përqendruar në aspektin fizik sesa në aspektin taktik. Por duhet të them se po bëhen hapa gjigantë, dhe në pak vite them se do të jetë një ndër kampionatet më të forta në botë”, ka thënë Salihi.
Por, pavarësisht dallimeve mes futbollit amerikan dhe atij evropian, Hamdi Salihi edhe përtej oqeanit mbetet ai i njëjti, siç ishte në kontinentin e vjetër – gola po vazhdon të shënojë.
“Të shënosh gola nuk është e lehtë në asnjë vend. Të shënosh gol në stërvitje është e vështirë, e jo më në një ndeshje futbolli. Por këtu në Amerikë, përqendrimi është më tepër në aspektin fizik dhe golat duhet t’i bësh më tepër individualisht, me aftësitë e tua dhe është më e vështirë kështu sesa me ndihmën e ekipit. Golat janë të vështirë gjithandej. Njësoj është, është bukur të shënosh gol”, ka pohuar Salihi, për të cilin thuhet se nga DC United merr pagë vjetore prej rreth 488 mijë dollarësh.
Salihu ka folur edhe për Kombëtaren shqiptare. Largësia e madhe mes Amerikës e Tiranës ka bërë që shkodrani të vendosë që në ndeshjet miqësore mos t’i bashkohet ekipit kuqezi, për çka ka gjetur mirëkuptimin e të gjithëve. Por, ai thotë se nuk do t’i mungojë asnjëherë Kombëtares së tij në ndeshjet zyrtare.