Revolucion në Prishtinë

Dështimi në kampionatin e fundit ka bërë që Kryesia e Sigal Prishtinës t’i përvjelë mëngët dhe të fillojë ta konsolidojë skuadrën për edicionin e ri, ku synim do ta kenë rikthimin e titullit në kryeqytet.
Bordi i klubit bardhekaltër e ka nisur nga e para. Ata kanë vendosur që edhe në sezonin e ri skuadrën ta drejtojë strategu Arben Krasniqi së bashku me stafin e tij, edhe pse e ardhmja e tyre në këtë klub ishte vënë në pikëpyetje pas dështimeve në sezonin e fundit.
“Arben Krasniqi me gjithë stafin e tij të shtabit teknik do të vazhdojnë ta udhëheqin skuadrën edhe në sezonin e ri. Kjo është e sigurt”, deklaroi për Express drejtori i Sigal Prishtinës, Artan Rugova.
Pas konfirmimit të shtabit teknik edhe për sezonin e ri bardhekaltrit kanë filluar t’i sjellin edhe përforcimet e para në skuadër. Burime të gazetës Express, brenda Sigal Prishtinës, kanë bërë të ditur se kryesia e klubit ka vendosur që në skuadër ta rikthejë pas disa vitesh, Edis Kurajën, idhullin e dikurshëm të ‘Plisave’.
“Edis Kuraja është basketbollist i ri i Sigal Prishtinës. Në sezonin e ri, pra Kuraja do të luajë me Sigal Prishtinën”, theksoi ky burim, sipas të cilit bardhekaltrit në radhët e tyre tashmë i kanë rikthyer dhe disa lojtarë të tjerë, me të cilët shpejt pritet të nënshkruajnë kontrata.
“Janë rikthyer edhe Hekuran Binxhija, Mustaf Mervoci, Gazmend Sinani, Kreshnik Juniku dhe Zgjim Gërxhaliu, por priten edhe ardhje të reja”, shtoi burimi.
Por dështimit në Superligë dhe Kupën e Kosovës ‘revolucionit’ në Prishtinë nuk pritet t’i shpëtojnë disa lojtarë të cilëve pritet t’u tregohet dera gjatë afatit kalimtar pasi zhgënjyen me paraqitjet e tyre.
Ndryshimet në ekipit bardhekaltër i paralajmëron edhe Rugova, por pa përmendur emra. “Kemi vazhduar kontrata me disa lojtarë kryesorë. Do të ketë ndryshime në ekip. Do të ketë largime, por edhe ardhje të lojtarëve të rinj”, theksoi Rugova.
Edicioni i fundit ishte zhgënjyes për bardhekaltrit. Pas gjashtë vitesh dominimi të plotë në basketbollin kosovar, në kampionatin e fundit ata mbetën duarthatë, pasi Trepça e fitoi titullin dhe Kupën.