Trepça ‘peshkon’ në 89-sh, e merr edhe Baliqin

Trepça po vazhdon të përforcohet me futbollistë për edicionin e ri. Madje, kjo skuadër grepin e ka hedhur te rivali lokal i saj, Trepça ’89, prej së cilës po transferon lojtarë.
Pasi ia mori portierin Arben Beqirin, ‘Xehetarët’ i kanë siguruar edhe shërbimet e futbollistit tjetër të deritanishëm të Trepçës ‘89, Emin Baliqit. Lajmin e ka konfirmuar për Express, sekretari i Trepçës, Hajrullah Haxhiu
Baliqi bëhet përforcimi i katër i Trepçës, pas Arben Beqirit dhe dy vëllezërve, Florent e Isuf Sejdiut.
“Pas Florentit, Isufit e Arbenit, ia kemi dalë t’i sigurojmë edhe shërbimet e Emin Baliqit”, tha Haxhiu, i cili paralajmëroi edhe përforcime të tjera.
“Jemi pranë zyrtarizimit të transferimit të Erdin Hashanit e Fitim Llapashticës. Po ashtu, shumë afër nesh janë edhe portieri Burim Sadiku e Ismet Caka, ndërkohë jemi duke biseduar edhe me Xhavit Mehmetin e Mensur Maxhunin”, përfundoi Haxhiu.