Arsenali rinis nga Fabregasi

Arsene Wenger nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga kapiteni i tij, Cesc Fabregas. Trajneri francez është i bindur se projekti i Arsenalit do të rinisë nga mesfushori spanjoll.
“Dëshirë e imja e parë është që ta mbaj në skuadër Fabregasin, i cili për mua është mesfushori më i mirë në botë. Dëshirojmë ta ndërtojmë skuadrën duke u nisur nga ai”, thotë menaxheri i ‘Topçinjve’.
Barcelona është njëra prej skuadrave më të interesuara për përfaqësuesin spanjoll. Mirëpo, Wenger siguron se këtë sezon nuk ka arritur asnjë ofertë nga kampioni i Evropës dhe i Spanjës. “Vitin e kaluar kishte një interesim të Barcelonës, këtë nuk mund ta fsheh. Këtë vit nuk ka pasur kurrfarë interesimi zyrtar”, tregon francezi.
Përpos Barcelonës, për Fabregas është interesuar edhe Real Madridi, Milani dhe Chelsea. Kampioni i Evropës dhe botës me Spanjën ishte pranë transferimit në Barcelonë verën e kaluar. Mediat spanjolle dhe ato angleze shkruajnë se Fabregas mund ta realizojë ëndrrën e tij – rikthimin në Barcelonë, këtë verë.