Ibrahimoviç mbetet dhe synon Ligën e Kampionëve

Zlatan Ibrahimoviç nuk do të transferohet në Manchester City sepse synon të fitojë Ligën e Kampionëve me Milanin, ka thënë menaxheri i tij, Mino Raiola.
Ylli suedez, i cili këtë edicion fitoi titullin e tij të tetë në ligë në tetë vitet e fundit me katër klube të ndryshme, është aktualisht i huazuar në San Siro nga Barcelona me mundësi të qëndrimit të përhershëm për 22 milionë funte.
Mirëpo, menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, së fundmi shtoi spekulimet rreth transferimit të Ibrahimovicit në Eastlands, duke thënë se “gjithmonë do të gjejë vend për Ibrahimovicin në ekipin e Cityt”.
Me largimin e mundshëm të Carlos Tevezit në fund të këtij sezoni, Mancini mund të joshet nga paraqitja e një oferte për sulmuesin me të cilin punoi gjatë kohës sa drejtonte Interin.
Por, Raiola ka mohuar spekulimet duke thënë: “Sigurisht se tani Mancini ka vend për Ibran sepse Zlatan i sjell atij jo vetëm aftësitë e tij teknike, por edhe mentalitet fitues. Mancini është i vetëdijshëm për kualitetet e Zlatanit sepse e kishte në Inter. Kur Zlatan erdhi në Inter, ata nuk kishin fituar asgjë, ndërsa më pas e pamë çka ndodhi. Besoj se nuk është lehtë të merret Ibra nga Milan, sepse ai nuk dëshiron të largohet dhe synon të fitojë Ligën e Kampionëve me Rossonerët”.