Ardhja e Torresit, jo ideale

Menaxheri i Chelseas, Carlo Ancelotti, ka pranuar se do të kishte preferuar që Fernando Torres të transferohej gjatë verës së vitit të kaluar. Në fakt, gjiganti londinez e bleu yllin spanjoll nga Liverpool në janar së bashku me ish qendërmbrojtësin e Benficas, David Luiz. Por, Ancelotti ndjen se dështimi për transferimin e tyre më herët ka penguar adaptimin e tyre në Stamford Bridge.
“Sigurisht, nëse do të kishim blerë Torresin dhe Luizin gjatë verës, do të ishte më e lehtë për ta”, tha strategu italian për The Guardian. “Nuk është gjithmonë lehtë të adaptoheni menjëherë kur vini në janar. Por, ne nuk ishim në gjendje t’i transferonim më herët sepse Liverpool dhe Benfica deshën t’i fillojnë sezonet me këta futbollistë”, shtoi ai.
Derisa Torres erdhi me shumë bujë dhe pritej të ishte futbollisti që do të udhëheqë Chelsean në garë për titull, ai shkoi 903 minuta pa shënuar gol, para se të gjente rrjetën kundër West Hamit më 23 prill, gati tre muaj pas ardhjes së tij në Stamford Bridge.
Edhe pse arriti të hapë llogarinë e tij për Chelsean kundër West Hamit, dyshimet mbesin rreth aftësisë së tij të jetë partner i Didier Drogbas në sulm, derisa klubi londinez në të kaluarën vazhdimisht ka preferuar të luajë me dy sulmues.
Ancelotti pranon se ishte pothuajse e pamundur për ekipin e tij që me sukses të adaptojë taktikat e reja në mes të sezonit, por është optimist se gjërat do të përmirësohen edicionin e ardhshëm, pas stërvitjeve dhe mësimit të strukturave të reja.
“Sigurisht, të luajnë Fernando dhe Drogba ju duhet të ndryshoni pozitën e mesfushorëve dhe ne nuk kishim kohë të ndërrojmë filozofinë në mes të sezonit. Kjo është diçka që mund të përmirësohet para sezonit të ri”, vazhdoi Ancelotti. Italiani insistoi se Chelsea nuk ka mundur të refuzojë mundësinë e transferimit të Torresit në janar dhe parashikoi karrierë të gjatë dhe të suksesshme në Stamford BridGe për spanjollin.
“Nganjëherë nuk është lehtë të blini një futbollist në kohën e duhur. Ju duhet të prisni. Kur keni mundësi të blini Torresin, ju nuk mendoni se kjo do të paraqesë problem për futbollistët e tjerë. Nëse keni mundësi ta blini, e blini. Ai kishte probleme këtë vit, por do ta ketë më lehtë në sezonin e ardhshëm pas stërvitjeve dhe akomodimit të plotë në ekip. Ai do të ketë karrierë të shkëlqyeshme në Chelsea”, theksoi Ancelotti.
Edhe pse mbetet e paqartë nëse Ancelotti do të jetë ai që do të ketë rastin të zbatojë ndryshimet e nevojshme në planin e Chelseas për sezonin e ardhshëm, italiani insiston se dëshiron të mbetet në Stamford Bridge. “Dëshira ime është të mbetem këtu. Por, nëse nuk është e mundshme, do të gjej diçka tjetër. Nuk kam nevojë për pushim. Dua të punoj sezonin e ardhshëm”, përfundoi Ancelotti.