Figo sponsorizon Murinjon në krye të stolit zikaltër
Edhe pse ka deklaruar publikisht se me Mançinin nuk ka asnjë problem, Luis Figo sponsorizon afrimin e Hoze Murinjos në krye të Interit. Lajmi qarkullon në ambientet pranë klubit, ku flitet se portugezi po bën të pamundurën për të bindur drejtuesit zikaltër që të ndryshojnë trajnerin në fund të sezonit. Gjithsesi, Figo nuk është i vetmi që "punon" kundër teknikut aktual, pasi edhe shumë yje të tjerë nuk janë të kënaqur me mënyrën sesi Mançini menaxhon lojtarët. Së fundmi, mediat spanjolle dhe ato angleze kanë folur për kontaktet ndërmjet Murinjos dhe drejtuesve të klubit italian. Situata është shumë e thjeshtë: Mançini nuk shkon me një pjesë të konsiderueshme të lojtarëve dhe nuk e gëzon më pëlqimin e Moratit që ka vendosur ta largojë në fund të sezonit. Në vend të tij, padroni zikaltër ka zgjedhur ish-trajnerin e Çelsit, i cili simpatizohet nga shumë futbollistë, mbi të gjithë nga Luis Figo. Mesfushori ka një miqësi të fortë me teknikun luzitan, por afrimi i Murinjos do t‘i shërbente edhe për një tjetër qëllim: ai ka deklaruar se kur të largohej nga futbolli do të dëshironte të punonte në stafin teknik të Interit dhe posti si menaxher skuadre do t‘i shkonte përshtat.