E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ibraj pret firmën e Toskës për t'u larguar

17/12/2004  Bajram Ibraj, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, pret nga çasti në çast firmën e eprorit të tij, që më pas të lërë radhën për të vendosur Kryeministri, nëse do të largohet nga detyra. Numri një i Policisë së Shtetit ia ka paraqitur dorëheqjen shefit të tij, Igli Toska, duke kërkuar kështu lënien e detyrës. Burimet zyrtare të Ministrisë së Rendit Publik nuk e konfirmojnë dorëheqjen ditën e djeshme të Ibrajt. Por vartësit e kryepolicit dhe funksionarë të lartë të këtij dikasteri, parandjejnë ndryshimin e shpejtë. Gjithashtu, sipas të njëjtave burime, në këtë institucion priten me këtë lëvizje dhe ndryshime të tjera në komisariate dhe drejtori policishë. Deri në orët e vona të darkës, ok-i i Kryeministrit nuk është dhënë. Ndërkohë pak ditë më parë u përfol largimi i Bajram Ibrajt për në Presidencë, ku ai do të ishte një nga këshilltarët e kreut të shtetit. Por me sa duket, firma e Nanos nuk i hapi udhë ndryshimit. Në arrestimin e trafikantëve të raketave, u prangos dhe një nga të afërmit e Bajram Ibrajt. Kreu i policisë në një konferencë shtypi, pranoi se ka një lidhje me të arrestuarin, por është vetëm një kushëri i largët. Madje, Ibraj shtoi se këtë e dinte, ashtu si dhe shumë gjëra të tjera, të cilat i rezervonte për hir të operacioneve të ardhshme që do të startonin në janarin e vitit 2005.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›