E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nju-Jork, bandë shqiptare e vjedhjes së makinave dhe shtëpive

17/12/2004  "Një grup djemsh shqiptarë me banim në një lagje periferike njujorkeze, sipas policisë, kanë shtrirë veprimtarinë e tyre kriminale, duke shkallmuar, mësyer shtëpitë e disa qytetarëve në zonat Harrison dhe Rockland County. Kështu shkruan gazeta lokale në Yonkers(NY) "The Journal News". Me këtë rast, policia njujorkeze bëri të ditur për median se ka arrestuar katër të rinj shqiptarë. Ata, sipas saj, janë arrestuar të dielën, më 12 dhjetor 2004, në Queens, ku po dëfreheshin në një klub nate, klub ku kërcenin vajza nudo. Tre prej tyre, thotë policia, në bazë të denoncimeve kanë shkallmuar një shtëpi në lagjen "New City", duke vjedhur bizhuteri floriri dhe para - rreth 80 mijë dollarë në vleftë të sendeve, të cilat vjedhësit i gjetën në shtëpinë e shkallmuar.

Arresti

Kjo ndodhi, u tha në konferencën për shtyp, pasi policia i lokalizoi vjedhjet e disa shtëpive, të cilat ndodhen në Yonkers e Bronks, dhe konstatoi më pas dëmin që u ishte shkaktuar viktimave me vleftë 50 mijë dollarë amerikanë. Të katër të arrestuarit, sipas policisë janë: Ened Gjelaj, 24 vjeç nga "Bryn Mawr Place", Nikolin Beqi, 22 vjeç, nga "14 King Ave", qyteti Yonkers; Edmir Gega, 24 vjeç, nga "710 Morris Park Ave" dhe Edward Curanovi, 31 vjeç, nga "660 Thwaites Place", nga qyteti i Bronx-it. Akuzohen për krim të shkallës së dytë, vjedhje dhe shkallmim të shtëpive e të sendeve me vlerë te qytetarët. Prokurorja e shtetit, tha se njëri prej të arrestuarve të këtij grupi, E.Gjelaj, është i akuzuar për krim të shkallës së parë, për vjedhjen e shtëpive në lagjen "Harrison". Ndërkaq, sipas saj, Gega dhe Beqi, do të gjykohen për krime të shkallës së dytë - vjedhje, dhe të shkallës së katërt, për "mësymjen" e shtëpive në distriktin "Clarkstown".

Raste

Një qytetare e moshuar njujorkeze, e cila banonte vetëm, emrin e së cilës policia nuk e bëri të ditur, dëshmoi se: "Të shtunën pas orë 9 të natës, në shtëpinë e saj në 'Wheatstone Drive' New City, jashtë shtëpisë ajo ka ndier lëvizje njerëzish, që e kanë shqetësuar 65-vjeçaren. Ajo ka vërejtur tri persona, të cilët më parë se t'ia "mësynin" shtëpisë së saj, i kanë prerë linjën telefonike". Hetuesi i kësaj çështje, Lt.Charles Delo, nga stacioni i policisë Clarkstown, tha për këtë ngjarje se, "Policia beson se 'karremi' u zbulua, pasi vjedhësit sollën shqetësime të mëdha te qytetarët". Ata supozohet se kanë shkallmuar vetëm shtëpitë, të cilat kishin të ruajtura zbukurimet prej floriri dhe argjendarie, bizhuteri e gjëra të tjera me vlerë, me një vleftë prej 50.000 dollarë deri 30.000 dhe 40.000 dollarë për shtëpi. Në një shtëpi, ata kanë vjedhur edhe autoveturën e tipit "Jaguar" të 1994-ës, të cilën policia e gjeti më vonë të braktisur disa kilometra larg shtëpisë ku e kishin vjedhur. Shtëpia ishte e një gruaje të moshur 71-vjeçare, e cila banonte me të shoqin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›