E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arrestohet "polici" nga Fushë-Preza

17/12/2004  Shërbimet e policisë së rendit të Komisariatit nr.2 u habitën kur gjatë kontrollit rutinë të një qytetari që qarkullonte me automjetin e tij orëve të vona të natës, u zuri syri në sedilet e pasme takëmet e punës së një polici. Burime zyrtare nga ky komisariat, bëjnë të ditur se shoferit me mjetin tip "Audi 80" me targa TR 5085 D iu kërkuan dokumentet e identifikimit. Ai quhej Lavdrim Kajmaku dhe ishte nga Fushë-Preza, por nuk rezultonte që ishte punonjës policie. 22-vjeçari u shoqërua menjëherë në ambientet e Komisariatit nr.2 për të dëshmuar. Sakaq, u sekuestrua dhe prova materiale, e cila përbëhej nga një radio marrëse e dhënëse, një palë pranga policie, një thikë me doreza metalike. Veç këtyre iu bllokua dhe mjeti, i cili nuk kishte asnjë dokument përkatës. Lavdrim Kajmaku ka pohuar për policinë se nuk e kishte idenë e takëmeve që gjendeshin në mjetin e tij. Sipas të arrestuarit, dikush duhet t'i kishte futur aty për t'i bërë keq. Por, ky version nuk u duk i besueshëm, ndaj blutë kopsitën dosjen. Të njëjtat burime saktësojnë se të shumta janë gjasat që provat materiale, i arrestuari t'i ketë blerë në tregun e zi. E megjithatë, deri më tash nuk ka rezultuar t'i ketë vënë ndonjëherë në përdorim. Në Komisariatin nr.2 apo dhe në tre të tjerët në kryeqytet, nuk është denoncuar asnjë rast grabitjeje apo bastisjeje të ekzekutuar nga një person i maskuar si polic. Mësohet se Kajmaku është me arsim të mesëm dhe i padënuar më parë nga togat e zeza. Mbi të rëndon neni 279 i Kodit Penal. Dosja e tij u mor në dorëzim nga Prokuroria e rrethit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›