E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gazetarët e “TemA”-s, si del në treg gazeta pas dëbimit nga redaksia

Nga Besian Ajazi, NEWS 24

Gazetarët e gazetës “TemA” dhe botuesi i saj, Mero Baze, janë ndaluar këto ditë nga dhjetëra forca policore të hyjnë në ambientet e redaksisë, me pretendimin se ndërtesa e gazetës ndodhet pranë një objekti shtetëror, i klasifikuar si i një rëndësie të veçantë. Protesta e stafit të gazetës “TemA” është mbështetur nga dhjetëra gazetarë, kryeredaktorë të medies së shkruar dhe vizive, analistë dhe botues, të cilët kanë vlerësuar se ky akt është tendencioz dhe ka të bëjë personalisht me botuesin e gazetës “TemA”.

Janë gazetarë, janë kolegët tanë, por me një ndryshim të madh, qeveria nuk i lejon të punojnë në redaksinë e tyre. Këta janë gazetarët e gazetës “TemA”, të cilët prej katër ditësh që nuk lejohen të hyjnë në redaksinë e tyre kanë përshtatur në ambient pune kafetë me internet, banesat e tyre apo qendrat e internetit. Pa frikë mund të themi se gazeta “TemA” është kthyer në një media në ekzil në vendin e saj. Kamera e News 24 ka qenë për disa momente në redaksinë e improvizuar të “TemA”-s në një nga pallatet e kryeqytetit. Kryeredaktori i gazetës, Enton Palushi, tregon vështirësitë që hasen që nga gjetja e lajmit e deri te faqosja.

Të gjithë ne që jemi familjarizuar në këtë profesion, e dimë afatin deadline për të njohur lexuesin me atë që ka ndodhur. Ky lloj presioni, pra presioni i afateve është gati trefishuar në këtë situatë. E para, sepse ne nuk po punojmë brenda ambienteve të punës, brenda redaksisë sonë, d.m.th., jemi dëbuar nga ato mjete pune që ne kishim aty, pra nga arkiva dhe nga mjetet e tjera. E dyta, jemi të detyruar të lidhim një kontratë me një shtypshkronjë tjetër, sepse në ato ambiente ndodhej dhe shtypshkronja që shtypej gazeta, e cila dhe ajo tashmë është e bllokuar, ashtu si dhe ambientet e redaksisë, dhe e treta që nuk është më pak e rëndësishme, na duhej të nxirrnim në treg një numër cilësor pas bllokimit të redaksisë, sepse lexuesit, duke menduar se ne jemi brenda kësaj ngjarjeje, prisnin një pasqyrim sa më të mirë. Dhe ju e dini se sa e rëndësishme është të mbulosh një ngjarje të këtyre përmasave katërcipërisht, pra ishte një numër i një rëndësie të veçantë. Fillimisht na është dashur të punojmë në ambiente të improvizuara nga vetë ne, dhe problem kryesor kishim arkivin tonë, por dhe kryesisht vështirësi hasnim në faqosje, për shkak se programi me të cilin punojmë ne, fontet, dizajni që përdorim tashmë nuk ekziston dhe na u desh t’i rikrijonim nga fillimi. Na është dashur të bëjmë faqosjen e gazetës në kompjuter laptop, dhe ata që janë në fushën e gazetarisë e dinë se sa e vështirë është të bësh një faqosje në kushte të tilla, dhe më pas të konvertosh faqosjen në program tjetër dhe ta printosh në redaksinë e një gazete tjetër, dhe më pas ky material është dërguar në shtypshkronjë. Natyrisht, produkti nuk ka dalë në cilësinë e dëshiruar… Sot e tutje ne kemi improvizuar një tjetër ambient, një dashamirës i gazetës na vuri në dispozicion këtë hapësirë, hapësirë kjo, e cila nuk i plotëson standardet që kërkon një redaksi për të punuar, por kjo është situata.

Me çfarë vështirësish u hasët në momentet e para?

Ashtu siç ju thashë problemi më i madh ishte i faqosjes së gazetës se ku do e vendosnim, pasi ajo është pjesa teknike. Pjesa tjetër e redaksisë ishte vendosur nëpër internet kafe, dhe vetëm dy apo tre prej tyre mund të futeshin në ambientet e improvizuara fillimisht. Natyrisht, jo të gjithë e kemi luksin të punojmë me internet në shtëpi, siç nuk e ka pjesa më e madhe e njerëzve. Pra, imagjinoni pak, është kryeqytet, interneti është në fazat kulmore të tij dhe ata janë gazetarë dhe u duhet të shkojnë nëpër internet kafe për të punuar. Të tjerët kanë qenë të detyruar të punojnë në vende ku ka internet wireless përmes laptopit.

Redaktori i politikës, Armand Maho dhe redaktorja e kulturës, Dhurata Hamzai, flasin për vështirësitë, me të cilat gazetarët e “TemA”-s po përballen këto ditë

Armand Maho, redaktor politike

Prej pesë ditësh, që kur na u mohua hyrja në redaksi nga ana e policisë, jemi ndeshur me vështirësi, sidomos në atë që është thelbësore, komunikimin me gazetarët. Komunikojmë me anë të internetit dhe ai që e njeh zanatin tonë e di shumë mirë se kështu nuk mund të punohet. Siç e shihni ndodhemi në një ambient të huazuar, kompjuterët nuk punojnë dhe kemi marrë me vete kompjuterët personalë duke regjistruar dhe zbardhur me celularë, pasi diktofonët dhe sendet e tjera personale na kanë mbetur në redaksi, që tashmë është e rrethuar me policë. Pra, na mungojnë kushtet më elementare dhe po punojmë si të thuash me mjete rrethanore, pasi këto janë kushtet minimale për të bërë të mundur përditësimin e gazetës. Nuk e di sa do të vazhdojë kështu, por edhe cilësia e gazetës në këto kushte bie, formati, siç e keni parë, nuk është më ai i mëparshmi, gazetën e kemi nxjerrë me 16 faqe nga 24 që është formati i zakonshëm. Pra, ata që e njohin këtë zanat, e dinë që këto janë elementet bazë që i duhen gazetarëve brenda një redaksie për të botuar një gazetë. Për më shumë ju e shihni ku jemi vendosur brenda një ambienti katër me katër, dhe nuk mund të punojnë 20 veta, aq sa mban një redaksi normale, me gazetarë, redaktorë, korrektorë dhe faqosës. Në këtë vend rrinë vetëm redaktorët, se gazetarët janë shpërndarë disa në kafe ku ka internet, ose atje ku ka wireless me laptopë në krahë. Nuk bëhet as raportimi, nuk bëhet as mbledhja e gazetarëve, nuk ndjekim dot as lajmin.

Keni pasur përkrahje nga kolegët?

Po, përkrahja nga kolegët nuk na ka munguar. Kanë bërë sa kanë mundur për të na mbështetur, qoftë moralisht, qoftë me anë të ndihmës fizike, pra për lajmet e të tjera, por, sado që të bëjnë ata, ju e dini mirë që kjo nuk është e mjaftueshme. Në rast se nuk ke një redaksi tënden, kompjuterin tënd, arkivin tënd, mjetet e duhura etj., kolegët, sado që të mundohen, sërish nuk mund të bëjnë të mundur nxjerrjen e gazetës me atë cilësi që duhet të jetë.

Dhurata Hamzai, redaktore kulture

Unë jam redaktorja e kulturës, dhe nuk më duhet thjesht një lajm dhe një raport, sepse këtë kushdo gazetar mund ta bëjë në një laptop dhe nuk është aq problem, por më duhet pjesa redaksionale që ka të bëjë dhe me botime të tjera, sepse kultura ka dy faqe dhe botimet e tjera përfshijnë fotot, fondin, arkivin e kulturës që ndodhet aty, dhe mjaft të dhëna, të cilat i mbaj unë në shënimet e mia në dosjet, fondin, arkivin për ta bërë kulturën sipas konceptit që është bërë deri më sot në gazetën “TemA” prej kaq vitesh. Këto janë vështirësi që të vënë në pozitë të vështirë dhe para lexuesit, sepse po të shohësh dhe mesazhet që na vijnë, ata nuk e kuptojnë pse gazeta në internet nuk është më ajo e njëjta, dhe që ajo ka ndryshuar këto ditë. Dhe kjo sidomos për faktin kur bëhet fjalë për kulturën, janë të shumtë emigrantët që e lexojnë atë dhe ndryshimi ka të bëjë me cilësinë, pavarësisht përpjekjeve tona, duke punuar nëpër shtëpi në internet, sepse e kemi konsideruar këtë gazetë si tribunë të fjalës së lirë. Ne nuk mund të ndryshojmë mendësi për një barrierë apo një pengesë. Duket pak qesharake, sepse duket sikur jemi gazetarë në ekzil.

Ju mungon vendi i punës, ju mungojnë mjetet e domosdoshme, si arrini t’ia dilni?

Na shpëton vetëm përvoja, sepse ne jemi profilizuar si gazetarë. D.m.th., marrja e punës në mënyrë instinktive na ndihmon paksa, por një gazetar i ri nuk do të bënte asgjë pa të gjitha këto mjete pune. Janë shumë gjëra, nuk i dërgoj dot shkrimet korrektores, ia dërgojmë me disqe, sigurisht krijohet dhe konfuzion, por, sidoqoftë, ne jemi ata që nxirrnim gazetën “TemA” në fillim, ne do të jemi ata që do vazhdojmë ta bëjmë. “TemA” ka qenë përherë një gazetë që është bërë nga gazetarët, dhe ne do vazhdojmë ta bëjmë, pavarësisht kushteve.

Prej katër ditësh gazetarët e gazetës “TemA” nuk lejohen të hyjnë në redaksinë e tyre, pasi një vendim i Këshillit të Ministrave ndalon çdo person apo veprimtari pranë ndërtesës ku prodhohen kartat e identitetit, i shpallur si objekt me rëndësi të veçantë shtetërore. Edhe gjatë natës kamera e News 24 ka vëzhguar praninë e dy efektivave të Policisë së Shtetit pranë redaksisë së gazetës “TemA”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›