Kryeprokurorja që prodhon korrupsion
Megjithë zhurmën e madhe të luftës kundër korrupsionit, shpifjeve apo fakteve të vërteta, çdo qytetar mund të orientohet fare mirë, duke parë një fenomen tipik e konkret. Ky fenomen është i lidhur me Prokurorinë e Përgjithshme, i cili është kthyer në një institucion që prodhon korrupsion. Duke qenë se ai ka dështuar ligjërisht e profesionalisht në disa nga çështjet themelore e bujëmadhe që ndërtoi apo inspiroi, ai ka humbur përfundimisht atë që populli e shpreh me formulën “vreshtat i ruan frika”. Pra, kryeprokurorja Ina Rama, ia doli si askush nga paraardhësit e saj që t’u heqë nga psikika nuklave kriminale drojën, frikën e të tjera masa preventive, pasi ata e kanë fushën bosh. Në këtë kuptim, gjithkush i ndodhur nën rrezet e ligjit gjen mënyrën, format, e ka kanalin hapur tek prokuroria e përgjithshme, për të gjetur strehë. Nëqoftëse qytetarët shikojnë se shpresa e mbrojtjes dhe e ruajtjes së ligjit, kushtetutës, dinjitetit e pronës, është kthyer në një institucion që u bën fresk interesave, jo vetëm të një mentaliteti dhe kohe të shkuar, por edhe personave të cilët përpiqen ta mbajnë atë kohë të shkuar prezent dhe t’i shpëtojnë reformës së domosdoshme, atëhere secili prej tyre është dhe mund të gjindet në rrjetën e fajit ët pabërë ose në nxitjen e fajit.
Kjo është e vetmja prokurori në botë, bile në historinë e ligjit, që përpiqet, krejt për interesa të mirëfillta, nga meskine deri në antikombëtare, të gjykojë një vendim kolegjial të qeverisë për rrugën Durrës-Kukës, të shkelë të gjitha procedurat ligjore, t’i deformojë ato deri në shkallën maksimale, vetëm për të goditur ministrin përkatës, për llogari të të tretëve. Duke pasur një arkivë dosjesh batërdi korrupsioni, me vjedhje monstruoze në bashkinë e Tiranës, në praktikat më flagrante të vjedhjeve nga Edi Rama, ajo nuk u lëviz as pluhurin atyre dosjeve. Por duke mos bërë të dytën e duke bërë të parën, ajo prodhon një korrupsion të ri dhe e nxit atë në mesin e shoqërisë shqiptare. Ajo i lejon vetes të futet në kanalin e abuzimit dhe të shfrytëzimit të postit, duke i shfrytëzuar fatmjerët, kudo që i shfaqen, dhe vazhdon të mos tërheqë shpifjet e saj përballë dokumenteve tona, të paraqitura disa ditë më parë, në procesin më korruptiv e më të drejtpërdrejtë të saj. Pra, kryeprokurorja e prodhon korrupsion edhe me mënyrën e vet të jetesës, me pranimin dhe angazhimin e saj të thellë dhe abuziv të postit. Po posti, ç’do të thotë? Posti do të thotë ligji e besimi tek ai ligj, tek ai mandat që të është dhënë. Por tek kjo kryeprokurore, i jepet mandat e asaj i kthehet në korrupsion. Po kështu çështje (hiç)Fazlliç, që u hap kryesisht nga shtypi, e vë kryeprokuroren në një poltronë politike me Edi Ramën, i cili mbron shpifjet e atij shtypi, që kjo “kryesisht” hapi çështjen. Pra edhe në këtë rast ajo ka prodhuar një korrupsion të thellë e galopant, sepse ajo nuk është më roja i ligjit, ajo është vetë abuzimi i ligjit, ajo është vetë kriza e ligjit, ajo është korrupsioni, që asaj - gati nga mentaliteti dhe një defekt i thellë emancipimi - i duket sikur i takon, si një e drejtë natyrore. Ajo, edhe me këtë përfytyrim adoleshent prodhon korrupsion. Iluzioni se bëmat e saj mbrohen institucionalisht nga ndonjë zyrtar i deformuar si ajo, sigurisht që do t’ia ndërpresë karrierën dhe vetëm kur të ndodhet në stol dhe nën përgjegjësi të asaj që ka bërë, ajo do të jetë shumë vonë për të rehabilituar diçka. Dhe në këtë mes, të përdorurit janë ata që largohen të parët. Vetëpërdorimi është një korrupsion, sepse do pranosh përdorimin për të tjerët, do përdorësh postin për vetveten dhe atëhere gjithkush poshtë piramidës apo lart, që është e lidhur me këtë segment, shkon në asgjësim. Kryeprokurorja e ka mbjellë tashmë nëpër qelizat e prokurorisë, korrupsionin. Ajo e ka dhënë shenjën shkelëse të ligjit, se nuk ndodhet më në post si roje e ligjit, po si një mundësi e atyre që duan të shkelin ligjin.
Rutina e përditshme e punëve dhe çështjet e arrestimeve të atyre që kap policia në flagranca filmike apo prova të tjera lënë shumë pak punë për prokurorinë dhe kryeprokurorja e ka zhvendosur veten e saj nga fusha e ligjit dhe e zbatimit të tij në fushën e interesave për ta përdorur ligjin. Dhe ky është një korrupsion akoma edhe më i madh. Në këtë mes, duke qenë se ajo është në konflikt me të vërtetën, me të drejtën, është e angazhuar në skenarë shpifës, detyrimisht ajo do të kërkojë një strehim dhe motivim të saj. Dhe ky strehim e motivim do t’i vijë nga rënia e saj në krahët e opozitës dhe e zyrtarëve që përpiqen dhe u ha meraku t’i pajtojnë opozitat në Shqipëri.