Topi dekreton zgjedhjet, Qeveria Berisha dhe 165 ditë
Shqiptarët do të shkojnë në zgjedhje më 28 qershor. Kështu ka vendosur Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili dekretoi dje datën e zgjedhjeve. “Bazuar në nenin 92, pika “gj” e Kushtetutës dhe nenin 184 të Kodit Zgjedhor të miratuar nga Kuvendi në datë 29.12.2008, Presidenti i Republikës vendosi që zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë të mbahen ditën e diel, në datë 28 qershor 2009”, - thuhet në njoftimin zyrtar të Presidencës. Në fakt, dy ishin datat, brenda të cilave mund të lëvizte presidenti Topi. Ai ka zgjedhur të dielën e fundit si mundësi.
Vendimi i Topit vjen pasi ai e ktheu njëherë për shqyrtim Kodin Zgjedhor në Kuvend në lidhje me këtë çështje. Edhe pse partitë e mëdha patën kundërshtime, ndryshimet u kaluan me anë të një dispozite që kaloi me shpejtësi, e për të cilën socialistët ishin të gatshëm të sakrifikonin dhe ligjin për prokurorinë.
Këto janë zgjedhje që sipas Kodit të ri do zhvillohen me dokumente të reja identiteti. Shpërndarja e tyre ka nisur me plot e përplot probleme, ndërsa shumë analistë e shohin të vështirë që afatet të përmbushen.