Berisha: Nuk ka monopol, ARMO do tregtojë e vetme gjithë naftën
Ka qenë komplet konfuz në deklaratën e tij kryeministri, Sali Berisha, në lidhje me monopolin e naftës që ia ka caktuar tashmë me vendim qeverisë kompanisë së Rezart Taçit. Duke folur në mbledhje qeverie, ai tha se ky vendim është bërë për të mos ndotur vendin me naftë me squfur që vjen nga importi. E më pas ka shtuar se kjo naftë do tregtohet nga ARMO, që e prodhon me një cilësi shumë më të keqe këtë naftë. Kryeministri këtu është ndalur te nevoja e rritjes së prodhimeve vendase, duke harruar çështjen e ndotjes së mjedisit. Më pas Berisha ka deklaruar se shumica e naftës që konsumohet në vend është D2, e ajo tashmë do i takojë vetëm një kompanie, por kjo nuk ka shumë rëndësi, sepse nuk quhet monopol, nëse një firmë e vetme prodhon një produkt në të gjithë tregun. Kryeministri ka harruar t’iu tregojë shqiptarëve se çfarë lidhjeje familjare ka ai me kompaninë që ka marrë ARMO-n. Konsulentja ligjore e kësaj kompanie është e bija, ndërsa pronari i saj paguan për të gjitha aktivitetet bamirëse të gruas së tij. “Pretendimet e opozitës dhe të kujtdo tjetër se ne kemi vendosur apo po pranojmë monopolin e naftës D2 janë absolutisht të pabazuara. Në fakt, është e kundërta, ne kemi ndaluar ARMO-n që e prodhon naftën, ta shesë vetë në treg, por të jetë e detyruar t’ia shesë me çmimin e bursës të gjitha kompanive të tjera tregtare të naftës, sipas përqindjes që ato zënë në treg. Nuk e mohoj se ne kemi ndaluar importin e naftës D2 dhe këtë e kemi bërë në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë. Dhe nga data 1 janar e vitit 2010 nuk do të ketë më naftë D2 në qarkullim. Këtë vit, ndalojmë rreth 240 mijë tonë import të naftës D2. Në tregun shqiptar vinte kryesisht naftë D2 dhe shumë pak naftë D1. Shqiptarët nuk kanë pse të dënohem me squfur. Shqipëria sot, ndonëse nuk ka dalë nga problemet, nuk është kurrë ajo që ka qenë më parë. Prandaj ne kemi marrë një vendim shumë të drejtë. Kemi bërë një diferencim midis prodhimit vendas dhe atij të importit, por këtë e kemi bërë, sepse çdo shtet, në një mënyrë apo tjetër, përpiqet të nxisë prodhimin vendas. Dhe kjo vetëm për një vit. Përtej 1 janarit 2010, në përputhje me vendimin, nuk do të ketë në treg as edhe një litër naftë D2 në Shqipëri. Kur e premtuam këtë dy vjet më parë, u duk e pabesueshme. Por ne kemi një avantazh, në tërësi kemi një mjedis të pastër. Ata që dalin e mbrojnë naftën D2, në vend që të duartrokasin qeverinë për vendimin, bëjnë të kundërtën. Ne kemi zhdukur monopolin dhe nuk jemi dakord të ndotet mjedisi. Nafta D2 ka një përqindje squfuri nga 300 deri në mbi 2000 miligramë, përveç produkteve të tjera hekzogene, të gjitha me potencial të faktuar kanceroz nga gazrat që çlirojnë”, - u shpreh kryeministri.