E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ideja e FSHF: Ndeshja me Francën jo në Shqipëri

TIRANE-Fillimi i punimeve për stadiumin, problemet me impiantet e tjerë jashtë Tirane apo infrastruktura deri diku e dobët përsa u përket fushave dhe hoteleve, ka bërë që Federata Shqiptare e Futbollit të mendojë për një fushë jashtë vendit, ku do të luhet ndeshja me Francën. Kjo sfidë, e programuar për më 2 shtator të këtij viti, rrezikon të mos luhet në Shqipëri për shkak të një infrastrukture jo në lartësinë e duhur. Sekretari i përgjithshëm i Federatës Eduard Prodani ka pranuar se pasi në "Qemal Stafa" të nisin punimet për stadiumin e ri, Shqipëria do të ketë pak shanse për zhvillimin e ndeshjeve të rëndësishme brenda vendit. "Shumë shpejt do të nisë puna për ndërtimin e stadiumit të ri, kështu që ndeshjet e kombëtares do të spostohen në Durrës apo në Korçë, - sqaroi sekretari i FSHF-së. - Për në Shkodër duket pak problem, sepse ata ende nuk janë të licencuar, por ne po presim që të përmirësojmë kushtet në stadiume të tjera. Nuk është çudi që ndeshja me Francën përshembull, të zhvillohet në një stadium jashtë vendit", shtoi Prodani. Sekretari i FSHF-së e lidh këtë ide me faktin se stadiumi i Durrësit apo i Korçës kanë ende mangësi, ndërsa edhe ai i Shkodrës duket se nuk plotëson kushtet e licencimit të vendosura nga UEFA.
Zvicra
Përsa i përket vendit ku do të zhvillohet sfida me Francën, duket se ai do të jetë në Zvicër, një shtet frengjisht-folës, por që ka edhe shumë shqiptarë. Grumbullimi i bërë aty nga Josip Kuzhe duket se u ka lënë një shije të mirë të gjithëve në Federatë. "Nuk e dimë ende, mund të luajmë në Durrës, në Korçë, por pse jo edhe në Zvicër, - tha për këtë sekretari i përgjithshëm i FSHF-së. - Ne jemi duke parë edhe opsionet jashtë vendit, për shkak të kushteve të mira apo të problemeve që ne kemi këtu me stadiumet". Në fakt, një spostim i ndeshjes me Francën jashtë territorit shqiptar do të thotë të privosh tifozët nga sfida më rëndësishme e edicionit, megjithatë çdo gjë duket se lidhet me faktin që përballë është një nga skuadrat më të mëdha të botë, e cila kurrë nuk do të pranojë që të luajë në kushte jo optimale. Për më tepër, në Zvicër jeton një komunitet i madh shqiptarësh dhe përfaqësuesja kuqezi nuk do të ishte për asnjë moment pa përkrahje.
Ndeshjet
Takimi i radhës për kombëtaren shqiptare është miqësorja me Slloveninë më 9 shkurt, por edhe ndeshja zyrtare ndaj Bjellorusisë më 26 mars. Sipas Federatës, të dy këto sfida do të luhen në "Qemal Stafa", pasi fillimi i punimeve në stadiumin e ri kërkon fillimisht disa muaj kohë, më shumë për çështje procedure. Por, më pas, duket se do të nisë edhe ndërtimi i stadiumit të ri, gjë që do të bëjë që kombëtarja për një periudhë 2-3 vjeçare të jetë pa një "strehë" të sigurt. Për momentin, impianti me kushtet më të mira duket ai i Korçës, por edhe ai nuk plotëson të gjitha kushtet që kërkon UEFA për takime të kampionatit europian.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›