Kujdes nga Real Madridi!

Kapiteni i Barcelonës, Carles Puyol thotë se katalunasit duhet të jenë të kujdesshëm nga Real Madridi, i cili do ta ndjekë titullin e kampionit në La Liga, edhe pse mbetet katër pikë prapa kampionit aktual.
Përfaqësuesi spanjoll po e shijon momentin e mirë të Barçës, e cila në ndeshjen e fundit dhuroi spektakël, duke e mposhtur Malagan. Por, ai kërkon nga shokët të jenë syçelë karshi madrilenëve.
“Ne e kemi fituar çdo ndeshje si mysafirë dhe kemi më shumë pikë, por Reali është ende afër nesh. Gjithmonë është kënaqësi ta mposhtësh Realin në El Clasico, mbi të gjitha pasi bëmë një lojë të shkëlqyeshme”, tha Puyol në një intervistë për Betfair.
“ Sidoqoftë, Reali ka një trajner shumë të mirë, një person i mirë që ka fituar shumë trofe. Numrat e tij flasin vetë. Ne nuk duhet të mendojmë se do të bëhemi kampion, por duhet të vazhdojmë të luftojmë”, vazhdoi Puyol i cili përmendi edhe Villarrealin si një klub të mirë dhe të rrezikshëm deri në fund të sezonit.