E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maks Velo sjell 'Spanjen' ne "Didart"

TIRANE-Spanja vendlindja e Pikasos, Dalisë, Gau-dit, vjen në një ekspozitë përmes përjetimeve të Maks Velos. Madridi, Barcelona, Malaga, Granada janë qytetet që vizitoi Maks Velo në Spanjë dhe prej të cilave mori frymëzim.
"Andaluziania", "Peizazh", "Lufta me dema" janë vetëm disa nga pesë ciklet e punimeve që Velo sjell të ekspozuara në galeri "DidArt". Falë kontakteve me një zonjë daneze, presidente e fondacionit "Valparaiso", Maks Velo qëndroi një muaj në Spanjë në qytetin Almera, që ishte dhe qendra e Andaluzisë. Falë rezidencës njëmujore, Velo realizoi rreth 120 punë, si vizatime, piktura etj, një pjesë të të cilave vijnë të ekspozuara në "DidArt". Por një pjesë tjetër janë vetëm nisja e një cikli të gjatë ajo e "Luftës me dema", që i ka bërë shumë përshtypje dhe që do të vazhdojë gjatë ta pikturojë. "Më ka frymëzuar dhe vazhdoj akoma të punoj me ato tema, sidomos me temën e luftës me dema, më bëri shumë përshtypje. Është një konfrontim, një luftë por dhe dashuri me natyrën, kjo ishte esenca e demit", - thotë Velo. Peizazhe ku ndërthuret mes kaltërsish qiell dhe det, e verdhë e vjeshtës, por dhe nudo, gjithçka që i ka bërë përshtypje dhe ka tërhequr syrin e tij prej artisti Velo ka "nxituar" të fiksojë në art.
Sipas Velos, ai ka mbetur i mahnitur nga magjia e Spanjës. "Spanja e meriton emrin si frymëzuese dhe vendlindja e të mëdhenjve. Është një vend shumë i veçantë dhe nuk është kot që disa nga më të mëdhenjtë e shekullit në art kanë dalë nga Pikaso, Dali, Miroja edhe Gaudi pra piktorë, arkitektë, shkrimtarë. Unë atje e kuptova psenë, sepse Spanja është një kryqëzim kulturash dhe një energji e jashtëzakonshme që të ngjall natyra. Kjo është e pashpjegueshme. Me sa duket është ajri që vjen nga Afrika që bashkohet me lagështirën e Mesdheut dhe të oqeanit. Ka një vitalitet e një gjallesë të paimagjinueshme në bimët, në kafshët. Gjithçka që të rrethon të jep një energji të jashtëzakonshme", - tregon Velo.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›