E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ideja e Kovaçiçit: Dua të drejtoj një klub shqiptar

Jetmir Halilaj, Elvis Kasmi
Slavko Kovacic, zv/trajneri kroat i Kombëtares shqiptare, po projekton që të punojë gjatë në futbollin shqiptar, madje jo vetëm me Kombëtaren, por edhe në kampionatin tonë. "Unë do t'i paraqes presidentit të FSHF-së idenë që përpos pozicionit tim në Kombëtare si asistent i Baricit, të mund të punoj edhe si drejtues i një prej skuadrave të kampionatit shqiptar. Në këtë mënyrë 75% të kohës do të jem në Shqipëri ku do t'i ndjek nga afër të gjitha ndeshjet e kampionatit shqiptar, lojtarët e rinj dhe do të bisedoj njëkohësisht me trajnerët e Kombëtareve U-19 dhe U-21. Për këtë gjë kam folur edhe me Baricin, i cili është plotësisht dakord. Unë kam dëshirë të drejtoj një skuadër shqiptare, e cila më jep mundësinë që të marr pjesë rregullisht në Kupat e Evropës dhe jo të skualifikohet që në turin e parë", ka thënë Kovacic për "Panorama Sport". Kovacic ka sqaruar se deri tani nuk ka asnjë tratativë konkrete me ndonjë klub të Superligës, por shpreson se në të ardhmen do t'i jepet mundësia që ai të marrë drejtimin e një skuadre shqiptare. "Dua të jemi të qartë se kjo që po them është projekti dhe dëshira ime, sepse deri tani nuk ka pasur bisedime me klube të kampionatit shqiptar", është shprehur ai. Pak kohë më parë Kovacic u shpreh se do të bisedonte personalisht me presidentin Duka në lidhje me kontratën e tij dhe të ardhmen e tij si zëvendës i Baricit, duke lënë të kuptonte se nuk do të ishte Oto, ai që do të vendoste për termat e kontratës së tij. Nuk kam folur me Dukën, por të hënën e ardhshme do të vij në Tiranë për të biseduar për këtë gjë dhe shpresoj që Duka të ketë 30 minuta kohë për të biseduar me mua. Por, për një gjë jam shumë i sigurt: jam gati të punoj përkrah Baricit, pasi atë e njoh prej shumë kohësh si edhe kam shumë dëshirë që të punoj për Kombëtaren shqiptare. Kam bindjen se do të gjejmë gjuhën e përbashkët me presidentin e FSHF-së në lidhje me rinovimin e kontratës time", ka thënë Kovacic. Ai ka përjashtuar mundësinë që të ketë surpriza të orëve të fundit, duke thënë se Baric, tashmë e ka arritur akordin me FSHF-në dhe se pritet vetëm zyrtarizimi. "Nuk besoj se gjërat mund të ndryshojnë, sepse nga burimet e mia kam mësuar se akordi ka qenë shumë serioz dhe shumë shpejt do të zyrtarizohet", tha tekniku. Kontrata I kënaqur, nëse i ofrohet e njëjta pagë Zv/trajneri i Kombëtares është i gatshëm që të punojë me të njëjtën pagë që merr aktualisht te kuqezinjtë. Kroati përfiton rreth pesë mijë euro në muaj dhe do të ishte i gatshëm që të pranonte të njëjtën shifër. Për mua, ana financiare mbetet në plan të dytë – ka thënë tekniku. - Do të isha i gatshëm që të punoja me të njëjtat kushte, përfshi këtu edhe termat financiarë. Megjithatë, kjo mund të zgjidhet në një mënyrë tjetër, pra nëse unë arrij të që marr drejtimin e një skuadre shqiptare". Të hënën, bisedime me Dukën për rinovimin e kontratës Kovacic ka thënë se do të do të vijë në Tiranë ditën e hënë dhe do të kërkojë një takim me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Ai ka pohuar se do t'i kërkojë kreut të FSHF-së që vendosin pikat mbi "i" përsa i përket rinovimit të kontratës si zv/trajner i Kombëtares dhe planeve të tij për të marrë drejtimin e një skuadre tjetër. "Nuk kam folur me Dukën, por të hënën e ardhshme do të vij në Tiranë për të biseduar për këtë gjë dhe shpresoj që Duka të ketë 30 minuta kohë për të biseduar me mua", ka thënë trajneri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›