E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tare skeptik: “Akord me Bariçin? Prisni, se do të ketë surpriza”

Jetmir Halilaj
Igli Tare kishte evituar cdo lloj komenti për Kombëtaren shqiptare, duke e quajtur vazhdimisht kapitull të mbyllur këtë cështje. Por pas zhvillimeve të fundit në kampin kuqezi, ish-kapiteni i kontaktuar nga "Panorama Sport" nuk ka duruar më dhe ka folur pa dorashka për gjithcka po ndodh në pankinën kuqezi. Duke u bazuar tek e kaluara, Tare paralajmëron Baricin se asgjë nuk mund të konsiderohet e mbaruar, pasi në FSHF gjithmonë ka një surprizë. "Prisni, se mund të ketë surpriza. Nga eksperienca ime e gjatë në Kombëtare dhe për faktin që njoh ambientin aty, kam bindjen se mund të ketë surpriza të orëve të fundit dhe ndoshta nuk do të jetë Barici trajneri i Shqipërisë edicionin e ardhshëm", ka thënë ish-kapiteni i përfaqësueses shqiptare. Në një intervistë të dhënë për "Panorama Sport", biondi i Lacios ka folur edhe për periudhën që po kalon tek bardhekaltërit. FSHF ka rënë parimisht dakord me trajnerin Baric që t'i rinovojë kontratën kroatit. Si e vlerësoni këtë? Personalisht nuk më intereson shumë që t'iu hyj komenteve për Baricin, sepse nuk dua t'i kthehem sërish të njëjtës cështje. Po si ish-kapiten i Shqipërisë, si e vlerësoni këtë vendim të FSHF-së? Si ish-kapiten mund të them se kjo nuk është një lëvizje shumë e zgjuar nga ana e Federatës dhe aspak largpamëse. Mendoj se duhet punuar me projekte afatgjata dhe jo vetëm për të tashmen, nëse dëshirojmë që futbolli shqiptar të ketë nj të ardhme më të mirë. Përse mendoni se rinovimi i Baricit nuk është një lëvizje e zgjuar nga ana e Federatës? Sepse Oto Baric është 75 vjec dhe larg qoftë ndodh ndonjë gjë në të ardhmen, atëherë përfaqësuesja shqiptare mbetet në mes të katër rrugëve. Kështu do të hynim në histori dhe njerëzit do të fillonin të bënin barsoleta me emrin e Kombëtares sonë. Nuk i dua të keqen askujt, por faktet flasin vetë. Përpos kësaj më duket paksa paradoksale kur thuhet se po punohet për të ardhmen, ndërkohë që vëmë në krye të përfaqësueses një trajner që maksimumi do të jetë edhe edicionin e ardhshëm, por jo më tepër. Megjithatë le të presim, se besoj se do të ketë surpriza të orëve të fundit. Ku doni të dilni? Duke u bazuar tek eksperienca e gjatë në Kombëtaren shqiptare dhe duke njohur mjaft mirë ambientin dhe njerëzit aty, kam bindjen se gjërat do të ndryshojnë në orët e fundit. Nuk e di, por kam përshtypjen se nuk do të jetë Oto Baric trajneri i Shqipërisë për edicionin tjetër dhe precedentët për këtë nuk mungojnë. Deri sa të hidhet firma, asgjë nuk është e sigurt. A e dini se edhe Lorik Cana është në të njëjtën linjë me ju për sa i përket rinovimit të Baricit dhe projekteve afatgjata për Kombëtaren? Kjo nuk më habit aspak, sepse Loriku e di se si duhet të funksionojnë gjërat kur bëhet fjalë për projekte që i përkasin së ardhmes. Unë nuk e di saktësisht se cfarë ka thënë Cana, por ajo që unë mendoj në lidhje me rinovimin e Baricit është fare e qartë. Nëse vendoset përfundimisht Barici, atëherë do të thotë se nuk është menduar për të ardhmen. Futbolli shqiptar ka nevojë për njerëz të rinj dhe energjikë, të cilët duhet t'i përkushtojnë atij më tepër kohë dhe impenjim.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›