E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdinin e kanë ngrënë “ujqërit”

E pabesueshme. Perbejne dyshen më të mirë sulmuese në kampionat me 13 gola (Ngjela, 7 dhe Tiko, 6), por sërish skuadra e tyre, Skënderbeu, dergjet në vendet e fundit, madje me nje rekord humbjesh: 8 të tilla në 10 javët e para të këtij sezoni.
SINANI - Ndeshje dramatike në Korcë me përmbysje dhe ripërmbusje rezultatesh, ku të fituarit dolën djemtë e Vllaznisë, të cilët me fitoren 2-3 ndaj Skënderbeut, arritën fitoren e dytë në transfertë. Korcarët me humbjen e gjashtë radhasi, rikonfirmoi krizën e plotë por edhe mundësinë e një rikthimi të shpejtë në Kategorinë e Parë. Takimi nisi më ritëm të lartë në minutat e para, me vizita në portat respektive të mbrojtura nga Ahmetli dhe Grima. Dy skuadrat kishin tre golashënuesit më të mirë në gjirin e tyre, por ishte Sinani ai që shënoi i pari golin për Vllazninë në minutën e 40-të, por edhe duke humbur edhe një rast flagrant në minutën e 45-të.
GOLEADA - Në fraksionin e dytë, golashënuesi më i mirë i shkodranëve, Vioresin Sinani e coi rezultatin në 0-2 në minutën e 65-të. Marius Ngjela (edhe ky tani në kuotën e 7 golave) nuk mungoi të shënonte golin e tij, duke shkurtuar diferencën në 1-2 në minutën e 77-të. Tiko barazoi në 2-2 rezultatin pesë minuta përpara përfundimit. Goli i gjashtë sezonal i kapitenit të Skëndërbeut. Por, gëzimi i korcarëve për të marrë një pikë në shtëpi u shuajt shumë shpejt, pasi shkodrani Gilman Lika vulosi përfundimisht rezultatin në 2-3 duke marrë tri pikë të cmuara në transfertë e duke i shkaktuar humbjen e katërt në shtëpi Skënderbeut dhe të tetën në dhjetë javë.
SEJDINI- Trajneri Sejdini është duke rishikuar seriozisht pozicionin e tij si trajner i Skëndërbeut, pasi përvec fitores së bujshme me Tiranën (4-2), kur provokoi edhe shkarkimin e ish-trajnerit të bardhebluve, Sulejman Starova, ka shijuar vetëm humbje përvec një barazimi të problematik me Besën kryesuese (1-1).
STATISTIKA- Fitorja e Vllaznisë ishte e 58-ta në 110 ndeshjet historike me Skëndërbeut, dhe 3 golat e shkodranëve e cuan në 167 numrin e rrjetave në portën korcare. Skënderbeu ka arritur 28 fitore (23 barazime). Vioresin Sinani me 2 golat e shënuar në takimin me Skënderbeut, barazoi Ngjelën (po më 7 gola), por u ngjit në kuotën e 208 golave personale të realizuar në kampionatet shqiptare.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›