Ideja e Ramës për audit e panevojshme, është një mënyrë me mbush boshllëkun në vend të një programi
Ekspert i ekonomisë, deputeti i PD, Sherefedin Shehu
Deputeti i Partisë Demokratike, ekspert i ekonomisë Sherefedin Shehu shprehet kundër idesë së kreut të maxhorancës së re për audit ndërkombëtar të financave shqiptare. Sipas tij është e panevojshëm një auditim i tillë pasi qeveria shqiptare është vazhdimisht e audituar. “Qeveria shqiptare është e audituar në shumë forma. Së pari është kontrolli i madh i shtetit që i certifikon llogaritë këtë vit. Së dyti është parlamenti që me një ligj të posaçëm miraton buxhetin faktik të vitit të mëparshëm dhe së treti janë institucionet financiare ndërkombëtare të cilat jo vetëm janë bashkëpunëtore me qeverinë në përgatitjen e statistikave financiare por të njëjtat statistika publikohen nga fondi monetar ndërkombëtar , nga banka botërore, nga Bashkimi Evropian. them se ka një vlerësim të veçantë përsa i përket menaxhimit financiar dhe përsa i përket statistikave", tha ai. Në këtë kuptim ai argumenton se nisma e zotit Rama synon të mbyll boshllëqe që krijon mungesa e një programi, por dhe një përpjekje e tij për të krijuar imazh siç po bën dhe me vizitat e fundit jashtë vendit. "Është thjesht një mënyrë për të bërë zhurmë ose për të mbushë boshllëkun në vend të një program. vizitat sipas mendimit tim janë për të krijuar imazh pasi drekat dhe kafet me kryeministra i shet sikur janë takime zyrtare. Është një harxhim energjish. Nëse nuk ka mënyrë tjetër për të fituar ndonjë para nga ndonjë pazar që mund të ketë bërë me ndonjë kompani ndërkombëtare"- u shpreh Sherefedin Shehu. Deputeti Shehu thekson se përballë kësaj maxhorance të re pa program dhe që ato që po deklaron janë krejt ndryshe nga premtimet, opozita në parlament do të jetë e fortë. “Partia Demokratike do të sillet si një opozitë e vërtetë, gjë që i ka munguar Shqipërisë. Gjithmonë ne do të ballafaqojmë idetë tona kundrejt asaj që do të bëjë apo thotë qeveria dhe asnjëherë nuk do t?i biem bilbilave dhe nuk do të bëjmë zhurmë në parlament"- tha Sherefedin Shehu. Parlamenti i ri do të mblidhet në shtator, dhe menjëherë pritet të mandatohet qeverie e re e së majtës që do të drejtohet nga kreu socialist Edi Rama.