E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analiza e Berishës/“Ministrat e Ramës të marrë peng nga korrupsioni, midis mëkatarëve të shumtë të grupit të PS, ka emëruar më konfidentët e tij”

07-08-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha: Lufta kundër korrupsionit ka qenë përparësi e qeverisë time - Shqipëria ndër vendet e pakta që përmbushi kriteret e GRECO-s

Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një bashkëbisedim të gjatë me miqtë e tij në Facebook, duke analizuar punën e qeverisë së drejtuar prej tij në 8 vite. Kryefjalë e këtij bashkëbisedimi të Berishës ishte lufta kundër korrupsionit dhe reformat e qeverisw. Për shefin e ekzekutivit, një nga përparësitë më të mëdha të qeverisë ka qenë pikërisht beteja kundër këtij fenomeni. Por teksa qeveria e tij ka rezultate konkrete të vlerësuara edhe nga organizatat ndërkombëtare siç është përmbushja e rekomandimeve të Këshillit të Europës në luftën kundër korrupsionit, një panoramë e zymtë jepet për qeverinë e ardhshme të pas shtatorit. Ministrat e Edi Ramës janë kokë e këmbë të zhytur në afera korruptive. Kryeministri Berisha i mëshon fort këtij fakti dhe shton se, “aferat korruptive të shumta të këtij ekipi dëshmojnë se piktori midis mëkatarëve të shumtë të grupit të PS ka emëruar në kabinet me preferencë më konfidentët e tij”. “Në mënyrë të përsëritur jam shprehur se korrupsioni nuk mund të çrrënjoset, por mund të luftohet. Prandaj dhe lufta kundër korrupsionit ka qenë përparësi e të gjitha përparësive për qeverinë time, me këtë nuk dua aspak të mohoj ekzistencën e korrupsionit në Shqipëri, por si rezultat i kësaj lufte Shqipëria dyfishoi të ardhurat në dogana dhe tatime dhe mblodhi nga 2006 në 2012 rreth 9 miliard dollar më shumë së qeveria socialiste në 8 vite. Raporti i Bankës Botërore në vitin 2004 denoncon se në Shqipëri çdo vit vidhen mbi 1,4 miliard dollarë nga taksat dhe tatimet e qytetarëve. Pikërisht këto të ardhura bënë të mundur rritjen me mbi 120% rrogat dhe pensionet, ndërtimin e mbi 10 mijë km rrugë, 1300 shkolla, 360 ujësjellës, 420 kanalizime etj, etj. Në luftën kundër korrupsionit, Shqipëria u bë vendi i parë në botë me prokurime 100% elektronik, rikujtojmë këtu se gjatë qeverisjes socialiste dhe bashkinë socialiste të Tiranes 75% e prokurimeve bëheshin direkte. Kurse sot edhe blerjet e vogla janë elektronike. Ju lutem rikujtoni pak vetëm pranimet në universitet që ishin një panair korrupsioni ndërsa sot në këto pranime ka zero korrupsion. Në vitin 2005 regjistrimi i një biznesi kërkonte 45 ditë dhe 4000 mijë euro, ndërsa sot bëhet brenda disa minutave dhe me 1 euro në “one stop shop”. Nga 210 licenca dhe leje u hoqën mbi 150 prej tyre dhe u krijua Qendra Kombëtare e Lejeve dhe licencave etj. Pikërisht për këtë luftë të suksesshme kundër korrupsionit Shqipëria kaloi nivelin e pragut për të përfituar kompakun në kuadrin nismës së qeverise amerikane të sfidës së mijëvjeçarit, por që nuk e përfitoi sepse të ardhurat u rriten dhe vendi ynë kaloi në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Shqipëria në luftën kundër korrupsionit ka ndërmarrë reforma ndër më të thellat të cilat shumë vende të tjera nuk i kanë ndërmarrë dhe që janë vlerësuar lart nga organizmat ndërkombëtare të luftës kundër korrupsionit. Muajin që kaloi GRECO (e Këshillit të Europës) në raportin e vet shprehet se Shqipëria renditet ndër më të paktat vende që plotësoi 12 kërkesat e tryezës së tretë të luftës kundër korrupsionit. Këtu mund të renditen një seri nismash të tjera për luftën kundër korrupsionit. Por, duhet të biem dakord që detyra e qeverisë është që dosjet e kleptokratëve të dërgohen në organet e drejtësisë. Por asnjë kryeministër nuk mund dhe nuk duhet të tentojë të bëjë prokurorin apo gjykatësin e vendit. Unë ju siguroj se çdo njëra nga dosjet e përmendura më sipër është drejtuar gjatë këtyre viteve në organet e drejtësisë nga qeveria apo parlamenti, madje për hir të së vërtetës, dosje në prokurori për piktorin kanë dërguar edhe ministra të kabinetit Nano si znj. Dade dhe po kështu edhe Inspektorati i Lartë i Kontrollit të Pasurive të zyrtarëve. Ky është një ekip kleptokratësh të faktuar. Vetë piktori ulet në karrigen e kryeministrit me një vilë dhe një pallat për të cilin nuk ka deklaruar asnjë qindarkë si fonde ndërtimi. Ministri i Financave është ish Guvernatori që kur ju vodh floriri Bankës së Shtetit tha se banka nuk ka patur flori në inventarë; ministri i Ekonomisë që i ka vjedhur me kompaninë e tij “Hermes” 10 milion euro Albtelekom-it kur kjo ishte kompani shtetërore. Ministri i Brendshëm që ka në ndjekje penale nënën për evazion fiskal dhe babain për kontrabande ilaçesh dhe që është deputeti i parë që importoi skaf; Ministri i Shëndetësisë që humbi mandatin se në kundërshtim me kushtetutën kishte zhvatur tenderë të bashkisë së bashku me baxhanakun e piktorit dhe në krye të sigurimeve shoqërore kishte regjistruar mijëra pensione false. Aferat korruptive të shumta të këtij ekipi dëshmojnë se piktori midis mëkatarëve të shumtë të grupit të PS ka emëruar në kabinet me preferencë më konfidentët e tij”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›