Partia Popullore Europiane uron Lulzim Bashën për zgjedhjen në krye të Partisë Demokratike
Lulzim Basha ka marrë dje një mesazh urimi nga Presidenti i PPE, Wilfried Martens me rastin e zgjedhjes së tij si kryetar i Partisë Demokratike. Në urimin e kreut të popullorëve europianë, thuhet se lidershipi i Bashës është garanci për vazhdimësinë e bashkëpunimit të frytshëm mes PD dhe PPE, në sfidat e ardhshme me interes të përbashkët
Presidenti i EPP-së, Wilfried Martens i ka dërguar një mesazh urimi, kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Në mesazhin e tij, Presidenti i Partisë Popullore Evropiane, organizata më e madhe politike në Evropë, me mbi 70 parti-anëtare nga 40 vende, ndër të tjera shkruan: “I dashur Kryetar, Dua t’u përgëzoj për zgjedhjen tuaj në postin e kryetarit të ri të Partisë Demokratike. Ju shpreh përgëzimet e mia më të thella dhe suksese në të ardhmen, në pozicionin tuaj të ri”- thuhet në urimin e kreut të PPE. Gjithashtu, presidenti i Popullorëve Europianë deklaron se mirëpret një bashkëpunim të frytshëm me kryetarin e ri të Partisë Demokratike në sfidat e ardhshme me interes të përbashkët. “Shpresoj në një bashkëpunim të frytshëm”- thuhet në urimin e kreut të Partisë Popullore Europiane, Wilfried Martens. Partia Popullore Europiane është familja më e madhe politike e qendrës së djathtë, rrënjët e të cilës janë të thella në historinë dhe qytetërimin e kontitetit europian. Në të gjenden rrënjët e baballarëve themelues të Europës nga Robert Schuman, Alcide de Gasperi apo dhe Konrad Adenauer. E themeluar në vitin 1976, PPE përpiqet për një europë demokratike, transparente dhe efikase. PPE është organizata më e madhe politike në Europë me mbi 70 parti anëtare nga 40 vende, krerët e shumicës së shteteve dhe qeverive (të dyja, BE-së dhe jo të BE-së), 13 komisionerë evropiane (duke përfshirë edhe Presidentin) si dhe është grupi më i madh në Parlamentin Europian.
Orban uron Bashën
Gjithashtu, kreun e ri të PD, Lulzim Basha e ka uruar edhe kryeministri i Hungarisë, njëherësh kryetar i FIDESZ, Viktor Orban. Në mesazhin e tij, ndër të tjera Kryeministri Orban shkruan: “I dashur z. Kryetar, Më lejoni t’u shpreh përgëzimet e mia, për zgjedhjen tuaj si Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë. Në emër të FIDESZ, më lejoni t’ju shpreh dëshirën time të sinqertë, në vazhdimësinë e bashkëpunimit të shkëlqyer mes dy partive tona, të cilat i kemi zhvilluar përgjatë viteve të fundit.
Ju uroj shëndet dhe suksese në detyrën tuaj të lartë dhe me përgjegjësi”- thuhet në mesazhin e urimit të Viktor Orban.