Ideja e re greke - burgjet lundrues
Greqia po shqyrton mundësitë e hapjes së burgjeve lundrues, me qëllim të internimit të azilkërkuesve në ta. Marrja me qira e anijeve të tilla për imigrantët ilegalë po shqyrtohet, bashkë me "masat e tjera", theksoi ministri për Rendin Publik, Christos Papoutsis në Athinë.
Nën "masat e tjera" me sa duket hyn edhe ndërtimi i murit - të shumëpërfolur në skenën ndërkombëtare - në një pjesë të kufirit me Turqinë, si dhe shfrytëzimi i objekteve të vjetra të forcave të armatosura si kampe të internimit për refugjatë. Paralelisht, duhen marrë parasysh edhe problemet e tjera si: kostot e larta të mbajtjes së një anijeje të tillë si edhe kushtet në të cilat anija-burg lundrues do të ankorohej, por edhe vendi i ankorimit të saj. Sipas të dhënave të qeverisë greke, vetëm gjatë vitit 2010 në Greqi kanë hyrë ilegalisht 128,000 refugjatë, që është shifra më e lartë e hyrjeve ilegale në BE.
Kritika ndaj masave kundër personave ilegalë
Sipas Organizatës për të Drejtat e Njeriut, Amnesty International, që nga viti 2007 Holanda përdor burgje lundrues.
Sa i përket një artikulli në gazetat greke, sipas të cilit zyrtarët grekë do të shkojnë në Holandë për të biseduar lidhur me modalitetet e dërgimit të burgjeve lundrues në Greqi, qeveria greke ende nuk është prononcuar.
Vetëm pak ditë më parë Amnesty International (AI) ka kritikuar planin grek për mbrojtjen e kufirit tokësor me Turqinë përmes një muri mbrojtës. Me këtë plan Qeveria e Athinës bie ndesh me parimet e themelore të të drejtave të njeriut në Bashkimin Evropian, i tha të hënën për gazetën ‘Frankfurter Rundschau’ eksperti i AI, Wolfgang Grenz. BE në këtë mënyrë izolohet, si një ishull i të pasurve, kundrejt njerëzve që i braktisin shtetet e tyre për shkak të përndjekjeve ose varfërisë ekstreme, theksoi ai.
Rreth 80 përqind e hyrjeve ilegale në BE origjinën e tyre e kanë në kufirin greko-turk. (DW)