Identifikimi elektronik, Celibashi: Nuk dështoi. Tenderi i hapur. S’kam frikë, as syri s’ma bën tërr

Në gati 10% të 5223 qendrave të votimit në mbarë vendin nuk ka funksionuar pajisja e identifikimit elektronik. Në këto QV votimi vijoi pas orës 08:00 kur KQZ lëshoi urdhrin që në këto qendra të vijonte votimin me listat e votuesve të dorëzuara nga KZAZ.
Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi tha se fakti që ky proces nuk funksionoi në këto qendra votimi nuk do të thotë se procesi dështoi, por nga ana tjetër si opozita ashtu dhe Partia Socialiste thanë se ndikoi që zgjedhësit të largoheshin dhe të mos votonin.
Raportimi
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve bëri një raportim të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor deri në mesditë. Në ato qendra votimi ku ka pasur probleme me pajisjen e identifikimit elektronik votimi ka nisur pas orës 08:00.
-Nga raportet në 77% e QV e kanë nisur procesin e votimit në 07:00
– Në 13 % e kanë nisur votimin në 7:30.
– 11% e kanë nisur votimin pas orës 08:00. Kjo është përqindja e atyre QV që kanë pasur probleme me pajisjen e identifikimit elektronik.
“Ngelet për tu verifikuar pse në 532 QV e patëm këtë situatë dhe jemi duke e punuar për këtë, ndërkohë që në të gjitha QV e tjera procesi po shkon shumë mirë” tha Celibashi mesditën e sotme në një konferencë për median.
Por a dështoi identifikimi elektronik?
Celibashi nuk e quan dështim.
“Në mënyrë kategorike procesi i identifikimit elektronik nuk ka dështuar. Në një vlerësim të raportit të një qendre votimit ku kemi pasur probleme të identifikimit elektronik me numrin total të qendrave të votimit rezulton se është më pak se 10 për qind, qendra votimi të cilat votuesit nuk identifikohen përmes pajisjes elektronike të identifikimit.
Ka një të pavërtetë të madhe në çfarë thuhet, që ndoshta si rrallëherë më parë proceset tenderuese në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë bërë të hapura. Nëse dikush kërkon të spekulojë është i lirë ta bëjë si të dojë. Unë jo vetëm nuk kam frikë por as droje dhe nuk ma bën syri tërr” tha Celibashi.
Në mëngjes me të mësuar problematikën me pajisjen e identifikimit elektronik KQZ lëshoi urdhrin sipas të cilit në të gjitha qendrat e votimit ku nuk funksionon pajisja elektronike e identifikimit (PEI) të zgjedhësve, Komisionet e qendrave të votimit do të fillojnë procesin e identifikimit të votuesve me listën e zgjedhësve të printuar, të dërguar nga KZAZ-ja.
Akuzat e opozites
Nga ana tjetër, drejtuesi i listës së kandidatëve të këshillit bashkiak për grupin e “Rithemelimit”, Ilir Alimehmeti ka hedhur akuza se problemet me identifikimin elektronik kërkon që qytetarët të ngurojnë që të votojnë.
“Ka pasur përpjekje, ka pasur prezencë të punonjësve të bashkisë në qendrat e votimit, ka pasur parregullsi, ka pasur vonesa 2-3 orëshe për shkak të mosfunksionimit në shumë qendra votimi të pajisjeve të identifikimit elektronik. Këto kërkojnë vetëm një gjë që njerëzit të ngurrojnë dhe të pengohen që të votojnë. Gjë tjetër nuk mund të bëjnë dhe për këto arsye, përgjigja e juaj ndaj tyre është vetëm një; të dilni masivisht e të votoni”, u shpreh Alimehmeti.
Akuza e PS-se
PS përmes Bora Muzhaqit I kërkoi KQZ të kërkonte ndjesë dhe u bëri apel zgjedhësve të kthehen të votojnë
“Arsyet e mosfunksionimit të tyre ishin nga më absurdet, (deri edhe për moskarikim të baterisë), por kjo meriton një analizë të veçantë pas zgjedhjeve, sepse “qeveria ku bën pjesë zonja” e ka financuar masivisht KQZ-në për pajisjet e identifikimit elektronik, por edhe për ato të votimit elektronik.
Prandaj edhe nuk ka se si të mos na vijë tmerrsisht keq për mosdhënien e shërbimit të identifikimit elektronik, duke penguar mijëra zgjedhës për disa orë, teksa KQZ-ja nuk merrte dot as vendimin elementar të nisjes së votimit në çdo qendër, pa i mbajtur njerëzit me orë në pritje, përtej orarit zyrtar të fillimit të zgjedhjeve.”
/rtsh.al/