E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipja, kërkimet me ekskavator

- Bashkëshorti i të vetmes së humbur të Gërdecit nuk pranon të heqë dorë nga kërkimet. Edhe pse forcat xheniere vazhdojnë punën për gjetjen e saj, Dilaver Alhasa, i shoqi i 25-vjeçares Shqipe Alhasa, nuk pranon të largohet nga zona e kraterit. Pas gjetjes së disa ditëve më parë të Zelije Letit, 19 vjeçe, femrës tjetër të zhdukur, shpresat për gjetjen e familjares së tyre duket se nuk kanë përfunduar akoma. Burime pranë Policisë Ushtarake, e cila vazhdon të jetë akoma në vendin ku ndodhi shpërthimi, bëjnë të ditur për gazetën, se burri i të vetmes së humbur nuk pranon të largohet. “Vazhdon të jetë pjesë e pandashme e trupave tona xheniere. Edhe pse kërkimet për Shqipen vazhdojnë pareshtur, i shoqi i saj nuk heq dorë nga të bërit pjesë e ekipit të kërkimit”, saktësojnë burimet. Tashmë, pas pastrimit të pjesës më të madhe të zonës nga predhat, kërkimi bëhet me ekskavator, gjë që lehtëson më tepër punën e shkurton kohë. Ndërsa periudha e procesit të kërkimit mbetet e njëjta, që nga lindja e deri në perëndimin e diellit. Shqipe Alhasa, nënë e dy fëmijëve, ka qenë ndër personat e parë që u deklarua e zhdukur pas shpërthimit. Ajo ishte punëtore në repartin e larjes së predhave të çmontuara së bashku me dy kunatat e saj. E humbura punonte prej tre muajsh para se të ndodhte katastrofa. Sipas dëshmive të kunatave të saj, mësohet se në momentin kur është dëgjuar shpërthimi i parë, 25-vjeçarja ka mbetur brenda në repart, ndërkohë që ato po bëheshin gati të hanin drekë. Që nga ai moment, të mbijetuarat patën deklaruar se nuk dinë më asgjë për fatin e të afërmes së tyre. Dilaveri, burri i saj, duket se është i vetmi që nuk heq dorë për gjetjen e trupit. “Duam të kemi një trup për ta qarë”, - patën bërë të ditur disa ditë më parë në një intervistë për “Korrierin” familjarët e së fundmes së humbur në tragjedinë e rëndë të Gërdecit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›