E Shtunë, 31 Tetor 2026

Identifikohet vrasësi i 17-vjeçarit, ngjarja për motive banale

SHKODËR/ Policia ka identifikuar si autor të ngjarjes 17-vjeçarin A.Brahimi, i cili është shpallur në kërkim


SHKODËR - Policia e Shkodrës ka mundur të identifikojë autorin e vrasjes së 17-vjeçarit Eduart Thana, ngjarje kjo e ndodhur pasditen e së hënës në qytetin e Shkodrës.


Burime të policisë bëjnë të ditur se autor i dyshuar është 17-vjeçari A.Brahimi, banor i lagjes "Ahmet Haxhia" të Shkodrës. Nga hetimet e deritanishme si dhe nga marrja në pyetje e dëshmitarëve okularë në vendngjarje, gjithçka ka ndodhur për motive banale.


Kështu bëhet e ditur se zanafilla ka qenë një konflikt mes dy të rinjve në një nga lokalet pranë Universitetit të Shkodrës ku zhvillohej një festë. Pas kësaj Eduart Thana është larguar bashkë me një shokun e tij për në banesën e vet, ndërkohë që autori Brahimi ka shkuar në shtëpi dhe ka marrë një armë zjarri tip pistoletë dhe është rikthyer te vendi i konfliktit.


Ndërsa ka kuptuar që kundërshtari i tij është larguar ai ka filluar ndjekjen me makinë. Ka ecur rrugës që të çon për në banesën e Thanës, duke menduar se do të ishte larguar për në shtëpi.


Por Thana ka kuptuar që po ndiqej dhe ka nisur të rendë bashkë me shokun e tij duke u ngjitur në shkallët e një lokali lojërash dhe interneti për t'i shpëtuar ndjekjes. Por autori e ka arritur atë dhe e ka qëlluar pikërisht në momentin kur ai do të futej në lokal.


Pesë plumba janë qëlluar në drejtim të Eduart Thanës, i cili ka gjetur vdekjen rrugës për në spitalin e Shkodrës. Mësohet se personi që ka qenë bashkë me viktimën ka mohuar të kishte dijeni lidhur me shkaqet që kanë çuar në vrasjen e shokut të tij, ndërkohë që në polici janë shoqëruar të gjithë personat që ndodheshin në lokal.


Deri në orët e vona të mbrëmjes arrestimi i 17-vjeçarit Brahimi nuk është bërë i mundur. Akuzat e ngritura ndaj tij janë "vrasje me dashje" dhe "armëmbajtje pa leje". mësohet se autori i dyshuar nuk kishte precedentë penalë. Ndërsa viktima 17-vjeçar ishte i papunë dhe nuk ishte në shkollë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›