E Diel, 1 Nëntor 2026

SHISH propozime për ligjin, qeveria drejt tërheqjes

Drejtori i SHISH-it, Bahri Shaqiri, pritet të raportojë sot në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve për projektligjin e qeverisë


TIRANË - Projektligji i qeverisë për ndryshimet në ligjin aktual të SHISH-it, pritet të marrë formën e saj përfundimtare sot në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve.


Drejtori i SHISH-it, Bahri Shaqiri, pritet të raportojë sot në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, ndërkohë që burime për gazetën "Shekulli" bëjnë me dije se qeveria ka marrë parasysh një pjesë të amendimeve të paraqitura, për draftin në fjalë nga vetë Shërbimi Informativ Shtetëror, por pa konfirmuar se cilat prej neneve janë ndryshuar.


Më konkretisht, mësohet se Kreu i SHISH-it ka paraqitur një sërë ndryshimesh në projektligj, por më parë ia ka paraqitur Këshillit të Ministrave nga ku me pas janë depozituar edhe pranë Kuvendit.


Megjithatë për shkak të procedurës, tashmë propozimet që gjenden në sirtarin e kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali do të mund të hidhen për diskutim vetëm si propozime në komision, të cilat natyrisht mund të vijnë si propozime të deputetëve ose ato mund të vijnë gjatë seancës dëgjimore edhe në formën e vërejtjeve apo sugjerimeve nga vetë Kreu i Shish, të cilat më pas do të mund të përkthehen në mënyrë formale në amendamente në komision.


Tërheqja e qeverisë për draftin në fjalë në fakt më shumë sesa qëndrimi i opozitës erdhi nga qëndrimi dhe rezervat që kishin vetë ndërkombëtarët ku vende anëtare të NATO-s kanë shpenzuar kohë dhe resurse për të rritur profesionalizmin e këtij shërbimi në Shqipëri.


Madje në takimet e shpeshta me vetë kryeministrin Sali Berisha përfaqësues të diplomacisë së huaj (përfshi edhe ambasadën amerikane në Tiranë) kanë kërkuar ndryshimin e draftit deri edhe në ndalimin e miratimit të amendamenteve të hartuara nga qeveria, duke nisur që nga ai nen, që limiton mandatin e Drejtorit të SHISH-it e deri tek ndryshimet e tjera që lidhen kryesisht me varësinë që ky institucion do të ketë ndaj kryeministrit.


Në draftin e përgatitur nga qeveria, thuhet ndër të tjera se drejtori që udhëheq punën e Shërbimit Informativ Shtetëror, përveç raportit të zakonshëm vjetor, duhet që të raportojë përpara Kryeministrit në çdo kohë dhe për çdo çështje, që lidhet me veprimtarinë e këtij institucioni.


Ndërsa në ligjin e vjetër, kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror raportonte në Këshillin e Ministrave, si dhe te Presidenti i Republikës për problemet, që lidheshin me sigurinë kombëtare. Kompetencat e kreut të qeverisë mbi këtë institucion rriten së tepërmi edhe tek një tjetër paragraf i draftit, ku thuhet se, Shërbimit Informativ Shtetëror nuk i lejohet të mbledhë informacion mbi shërbimet e inteligjencës së vendeve të tjera, pa marrë më parë miratimin e Kryeministrit.


Sipas draftit të parë të qeverisë, Kryeministri është ai që jep miratimin ose jo nëse Shërbimi Informativ i Shtetit mund të vendosë marrëdhënie bashkëpunimi me vendet e tjera për realizimin e objektivave të tij. Amendamentet sa më sipër, jo vetëm sipas opozitës, por edhe ndërkombëtarëve cenojnë profesionalizimin e shërbimit sekret dhe e vënë atë nën një ndikim të pastër politik.


Ndërkohë, në shtesat e kryera në ligjin e ndryshuar mandati i drejtorit të Shërbimit Informativ bëhet 5 vjet dhe me të drejtë riemërimi vetëm një herë, ndërkohë që më parë nuk përcaktohej afati i qëndrimit në krye të SHISH-it.


Duke futur si element hetimin e personave publikë parashikohet që një nga detyrat parësore të SHISH-it është mbledhja, zbulimi e parandalimi i krimit të organizuar si dhe rastet e korrupsionit të personave që ushtrojnë funksione publike, që për opozitën është konsideruar e panevojshme pasi SHISH nuk është ndaluar ndonjëherë të hetojë në këtë drejtim.


Rritja e çmimeve, PS: Fajtorë, Berisha e Bode


TIRANË - Partia Socialiste ngarkon me përgjegjësi të plotë për rritjen e çmimeve, kryeministrin Sali Berisha dhe Ministrin e Financave, Ridvan Bode. "Dje edhe vetë INSTAT, ky shërbëtor i bindur i Sali Berishës, u detyrua të pranonte të vërtetën e hidhur të rritjes së skajshme të kostos së jetesës për shqiptarët duke publikuar faktin se rritja vjetore e çmimeve për muajin shkurt është plot 4.4%, ndërkohë që vetëm në krahasim me muajin janar çmimet janë rritur me 1.1%.


Çmimi i energjisë i shtrenjtuar me 13.1%, çmimet e zarzavateve të rritura me 13.2%, dhe lista e gjatë e rritjes së çmimeve të çdo produkti bazë po e rëndon në mënyrë të papërballueshme gjendjen ekonomike e financiare të familjeve shqiptare", - tha dje deputetja e PS-së, Olta Xhaçka. Këto të dhëna, sipas saj, deri diku abstrakte, në fakt nuk bëjnë gjë tjetër veçse konfirmojnë në përqindje e presje dhjetore atë realitet konkret, që qytetarët shqiptarë e kanë ndjerë prej kohësh në xhepat e tyre.


"Për më se një vit, Sali Berisha dhe qeveria e tij besuan se do t'ia dilnin me sukses të mbulonin diellin me shoshë, duke keqpërdorur INSTAT-in për të fshehur rrokullimën që po merrte ekonomia shqiptare.


Prandaj sot, që kjo flluskë sapuni e krijuar me anë të një propagande të papërgjegjshme për çudirat ekonomike të Saliut e Ridvanit ka plasur, ne e ftojmë kryeministrin e Ruzhdies, që të pranojë publikisht dështimin e tij monumental ekonomik dhe t'u tregojë shqiptarëve se ç'masa është duke marrë qeveria e tij për të ndihmuar qytetarët e këtij vendi në këto kohë të vështira", - tha Xhaçka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›